Në fund të këtij muaji Kombëtarja kuqezi nis përsëri aksionin, teksa përpara e presin 3 sfida të rëndësishme. Andorra, Anglia dhe më pas San Marino, ky është itinerari për Shqipërinë këtë muaj. Edi Reja ka bërë gati listën me lojtarët që dëshiron të gumbullojë, ku numri do të jetë i lartë edhe si pasojë e kushteve që janë diktuar nga pandemia. Në një intervistë për “RTSH Sport” trajneri i Kombëtares tregon se priten debutime në ndeshjet e ardhshme, si dhe më pas është ndalur edhe në objektivat që synohen nga kuqezinjë.
Përshëndetje mister. Nentor-Mars, 4 muaj ndoshta janë mjaftueshëm për të reflektuar gjatë për të nisur punën për një mision të ri pas mbylljes me sukses të Ligës së Kombeve.
“Më vjen keq që kam nuk kam mundur të vij asnjëherë në Shqipëri gjatë këtyre 4 muajve por detyra ime kryesore është që të monitoroj ecurinë e lojtarëve dhe të evidentoj ata që janë më në formë. Dikush nuk ka luajtur shumë dhe dikush tjetër mund të ketë qenë i dëmtuar. I kam vëzhguar të gjithë me kujdes. Gjithsesi, mund të them se do ta kem të vështirë pasi kam 30-35 emra në listë dhe dikush do të qëndrojë në shtëpi dhe për këtë më vjen keq”.
Shumë emra të rinj janë në orbitën e Kombëtares dhe ky është një sinjal pozitiv edhe për ju si trajner. Këto eliminatore, përtej rezultatit do të na japin një përgjigje më të qartë edhe për skuadrën e të ardhmes ose më saktë për Shqipërinë e viteve në vazhdim?
“Ka lojtarë të rinj që kanë ardhur kohët e fundit dhe të tjerë që po i ndjekim prej një viti. Unë pres shumë nga të gjithë. Eliminatoret e Botërorit do të jenë vendimtare dhe unë mendoj që përmirësim ka pasur, por pres ende në aspektin individual dhe atë kolektiv. Të mos harrojmë që jemi ngjitur një kategori më lartë në Ligën e Kombeve dhe duhet të jemi konkurrues. Për të qenë të tillë duhet të përmirësohemi shumë edhe fizikisht. Lojtarët që po ndjek po fitojnë minuta të rëndësishme dhe po luajnë mirë në klubet e tyre. Mezi po pres të nis punën me skuadrën për të parë nga afër rritjen e tyre”.
Keni një listë të gjatë me risi. E di që nuk mund të na jepni emra, por a mund të na konfirmoni ose jo, nëse do të ketë lojtarë që do të thirren për herë të parë?
“Po, shpresoj që në këtë grumbullim të kem në grup edhe lojtarë të rinj por ka pasur disa problem burokratike me pasaportat prandaj nuk di të jap një përgjigje të saktë. Unë i kam vendosur në listë dhe shpresoj që gjithçka të mbyllet sa më shpejt në mënyrë që të bëjmë një start pozitiv në këtë eksperiencë. Mund të konfirmoj se njëri prej tyre është Bajramaj i Empolit”.
Gjatë muajve të fundit shumë lojtarë kanë bërë mirë në skuadrat e tyre, përfshirë këtu të gjitha repartet. Broja dhe Uzuni po shënojnë në vazhdimësi, Cikalleshi, gjithashtu ka gjetur elkuilibrin, ndërsa Gjimshiti duket se vjen nga një planet tjetër…
“Gjimshiti është një lojtar që më mahnit gjithmonë e më shumë. Unë mendoj se aktualisht, por duke veçuar edhe ndeshjen e fundit kundër Lukakut, qëndërsulmuesi më i fortë në nivel europian, Gjimshiti tregoi se është një lojtar që arrin të markojë me shumë lehtësi lojtarët dhe ky është një avantazh i madh. Edhe pse nuk është një lojtar fizik, ka kapacitet të jashtëzakonshëm në leximin e ndeshjeve. Po më mahnit sepse është një lojtar i kalibrit europian, një nga më të mirët në rolin e tij. Le të urojmë që të vazhdojë në këtë rrugë. Po luajnë në vazhdimësi edhe Uzuni, Broja, Manaj e Cikalleshi. Kamberi gjithashtu ka gjetur një skuadër të re pas problemeve që hasi në Zvicër. Në Skoci po gjen vazhdimësinë. Shpresoj ta grumbulloj në listën me 23 lojtarë për eliminatoret por duhet të presim. Pas ditës së dielë do të kem një ide më të qartë pasi kemi shumë lojtarë që kanë ende probleme si Gjasula e Dermaku por edhe Abrashi që do të na mungojë shumë pasi ka nisur fazën e rikuperimit dhe nuk do të jetë gati për fazën e parë eliminatore”.
Nuk është komode situata e Strakoshës dhe Hysajt të cilët mund të ndryshojnë ekip në fund të sezonit. Ju personalisht cfare u këshillon?
“Strakosha ka pasur probleme me gjurin dhe nëse e mbani mend nuk ishte i pranishëm as në grumbullimin e fundit. Përsa unë di, kam folur në telefon dhe më ka konfirmuar që është mirë dhe tani duhet të punojë shumë për të rifituar vendin e titullait pasi nuk aktivizohet prej disa muajsh. Kur të mos ketë më problem fizike, besoj se do të rikthehet sërish titullar te Lazio. Përsa i përket Hysajt, ai po luan në vazhdimësi dhe ndihet mirë me Gatuson edhe pse aktivizohet shpesh herë edhe në të majtë. Natyrisht, që nuk është titullar fiks sepse kalendari është i ngjeshur. Duhet të qëndrojë i qetë, dhe unë mendoj se gjërat do të shkojnë mirë. Nëse nuk do të qëndrojë te Napoli, shpresoj që të gjejë skuadrën e përshtatshme për të vazhduar karrierën”.
Meqë jemi te Napoli. Si ndiheni që në atë qytet konsideroheni një emër i rëndëishëm i familjes së kaltër. Ditët e fundit ju kanë përjetësuar edhe në një murales.
“Ishte një surprizë shumë e bukur. Ndihem shumë krenar që më kanë kushtuar një murales të tillë. Është bukur që të shikosh veten në një stacion afër stadiumit Maradona. Ma kanë treguar disa miq napoletanë dhe më vjen shumë mirë. Sa herë shkoj në Napoli, qytetarët atje vazhdojnë të më shprehin dashurinë e tyre dhe kam kujtime fantastike në atë qytet”.
Rikthehemi te futbolli i luajtur. Andorra në datën 25 mars, një skuadër që në ndeshjen e fundit na rrëmbeu atë barazim surprizë 2-2. I druheni një tjetër dështimi ndaj kësaj skuadre?
“Le të urojmë që nuk do të përsëritet më një ndeshje e tillë si ajo me Andorrën. Është pothuajse e njëjta situatë, kemi Andorrën dhe më pas Anglinë në shtëpi. Nese e kujtoni pas Andorrës kishim Francën dhe ajo ndeshje ndikoi shumë. Më shumë më trembin këto skuadra se sa ato të kalibrit të madh. Nuk duhet të bëjmë të njëjtat gabime sepse skuadrat si Andorra mbyllen mirë prapa dhe nisen në kundërsulm duke të vënë në vështirësi siç ndodhi në Shqipëri. Duhet të nisemi me këmbën e duhur dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Me pas Anglia në Tiranë. Një skuadër e frikshme në emra që propozon një futboll modern, jo stilin britanik të pasimeve të gjata…
Anglia ka ndryshuar tërësisht. Disa vjet më parë kishin një skuadër tjetër me pasime të gjata por sot ata luajnë fort dhe janë shumë të përgatitur fizikisht. Kanë një skuadër ku të gjithë lojtarët luajnë titullarë në skuadra të nivelit të lartë. Veçanërisht në sulm kanë shumë mundësi zgjedhjeje. Gjithsesi, ndeshjet janë të gjitha për t’u luajtur dhe unë kam shumë besim te grupi im. Shpresoj shumë që të bëjmë paraqitje pozitive por e ritheksoj, duhet të fokusohemi te ndeshja e parë me Andorrën ndaj së cilës në asnjë mënyrë nuk duhet të gabojmë”.
Do të luajmë në një stadium të boshatisur, një mekat por këto janë rregullat dhe mesa duket tashmë të gjithë janë mësuar me këtë fakt. Duket si nje makth pa fund.
“E ritheksoj që ky nuk është futboll, sepse me njerëz në stadium futbolli është ndryshe. Tashmë jemi mësuar, por sot ndeshjet duken si miqësore dhe nuk është më ajo atmosfera e zjarrtë. Lojtarët janë mësuar por e rëndësishme është që të jemi të përqëndruar dhe nuk duhet të lëshojmë asnjë centimeter”.
Tifozët dhe njerëzit kërkojnë gjithmonë fitoren por trajneri duhet të mbajë ambjentin me këmbë në tokë dhe të kërkojë të marrë maksimumin, që në këtë rast do të ishte?
“Ne kemi një test shumë të rëndësishëm në këto eliminatore. Polonia dhe Hungaria janë kundërshtarët tanë sepse ndaj Anglisë në do të japim maksimumin dhe më pas të shpresojmë të marrim diçka. Kam shumë interes të shikoj skuadrën në ndeshjet me Hungarinë dhe Poloninë, sepse edhe pse janë skuadra që janë rritur shumë, ato do të na tregojnë se deri në cilin nivel jemi rritur nga të cilat do të marr përgjigje interesante”.
Pak ditë më parë FSHF zyrtarizoi drejtuesit e skuadrave kombëtare zinxhir. Projekti afatgjatë ka nisur të marrë formë. Mund t’i japë frytet ky projekt në vitin 2024 dhe këtu kam parasysh europianin e radhës?
“Besoj se kjo punë që po bëjmë tani duhet të na japë rezultate në vitin 2024. Po punojmë për të përmirësuar gjithçka dhe jo vetëm në aspektin futbollistik por edhe në atë organizativ. Për të korrur frytet në futboll duhet të bësh durim pasi rritja është konstante. Do të kërkojmë të japim kontributin tonë dhe unë kam shumë dëshirë, entuziazëm dhe vullnet për ta bërë. Kemi krijuar një grup të mirë dhe do të përpiqemi të punojmë sa më shumë për t’u përmirësuar. Le të urojmë që pandemia të përfundojë sa më shpejt sepse kështu bëhet më e vështirë për të punuar. Edhe këtu në Friuli, sot është kthyer zonë e kuqe, madje nuk mund të dalim as nga shtëpia. Të shpresojmë që vaksinat të normalizojnë gjithcka”.
E keni bërë vaksinën?
“Nuk e kam bërë vaksinën ende. Ne jemi fasha e fundit, nga 65 deri në 80 vjeç. Nuk i kuptoj këto regulla të çuditshme. Deri muajin Maj nuk do të kemi mundësi të vaksinohemi, por pres me shpresë”.
Faleminderit mister për këtë intervistë të gjatë dhe shumë interesante në televizionin public.
“Ju falënderoj juve dhe të gjithë sportdashësve shqiptarë”, është shrehur Edi Reja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/