Presidenti i Kukësit, Safet Gjici u bind nga paraqitja e skuadrës së tij në dy ndeshjet e para miqësore, që të udhëtonte drejt Antalias për të ndjekur përballjen me Fenerbahçen. Numri 1 i skuadrës verilindore nuk u zhgënjye aspak, kjo pasi skuadra e tij arriti që të merrte një barazim 2-2, ku duhet përmendur se meritonte më shumë. Gjici, edhe në prezantimin e teknikut të ri besonte te titulli kampion dhe tashmë duket akoma dhe më i bindur, duke parë atë çka lojtarët e tij po dhurojnë në fushën e lojës. Nga Antalia ku ndodhet me skuadrën, Gjici ka dhënë një intervistë për “RTSH Sport”, ku ka folur rreth për shumë situata, duke nisur fillimisht nga përballja me gjigantët turq. Edhe pse vetëm një miqësore, presidenti i Kukësit e akuzon Fenerbahçen se barazimi ishte i turpshëm për ta, pasi erdhi si pasojë e vendimeve të gabuara të gjyqtarit: “Të marrësh dy fitore, në fakt tre së bashku me Fenerbahçen, sepse të gjithë e panë se ishte një lojë e shkëlqyer e Kukësit. Turp për Fenerbahçen që me ndihmën e arbitrave arriti të marrë dy penallti”.
Tekniku Pakult ka simpatinë e Gjicit, dhe ky i fundit nuk ngulmon që të përsërisë dhe një herë arsyet që e shtynë për t’i besuar austriakut stolin e Kukësit: “Realisht, trajnerë si Pakult janë të rrallë që kanë ardhur në Shqipëri, për sa i përket të vërtetës. Ka një CV shumë të pasur dhe unë besoja fort te eksperienca që ka, por dhe titulli që ka marrë. Mendova se ky do të ishte trajneri i duhur”.
Merkato e Kukësit duket e kujdesshme dhe duket se janë evituar emrat anonim, dhe për këtë gjë edhe numri 1 i skuadrës është i kënaqur: “Të gjithë e panë se në fushë ishte gjeorgjiani, por dhe kroati, të cilët treguan se janë lojtarë profesionistë dhe japin shumë. Trajneri i ka afruar që të dy këto lojtarë”.
“Sport Ekspres” raportoi se Simon Rrumbullaku ka marrë një ofertë zyrtare dhe nga klubi i Antaliasporit dhe Kukësi mund të përfitojë plot 300 mijë euro nga ky transferim, por Gjici e mohon diçka të tillë, megjithatë e lë thotë qartë se pjesa e bisedimeve i takon drejtorit Nexhipi, i cili është në kontakt me shumë skuadra: “Deri më tani nuk ka ofertë zyrtare. Drejtori sportiv është në bisedime me shumë menaxherë, me shumë shefash klubesh të skuadrave të mëdha në Turqi, por nuk kemi një ofertë zyrtare. Gjithnjë ofertat duhet të jenë jo oferta të lehta, diçka që ia kam thënë dhe drejtorit Nexhipi se për ofertat do të bisedohet vetëm me mua”.
Objektivat janë të njëjta, titulli kampion mbete i shenjtë dhe e kërkojnë që ta synojnë deri në fund, pavarësisht se janë plot 12 pikë në mes. Receta? Gjici e ka gati, duhet të fitohen të gjitha ndeshjet deri në fund: “Nëse do të ecim kështu dhe në kampionatin shqiptar dhe t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, natyrisht do të gabojë Skënderbeu. Në kampionati janë 60 pikë dhe nuk i dihet deri në fund. Them që jemi shumë të bindur se mund ta mbrojmë titullin kampion”.
Pas pak javësh janë zgjedhjet për president të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe presidenti Gjici nuk e fsheh komentin e tij, duke vënë në dukej miqëson që ka me dy kandidatët, por dhe faktin se ai do të votojë në bazë të asaj që do i ofrohet nga platforma: “Çdo njeri ka të drejtë të kandidojë, jo vetëm zoti Fino, të cilin e njoh, kam muhabet, kam respekt ndaj tij, po asht udhe për presidentin në detyrë. Do të dëgjojmë dy alternativat e secilit dhe kush na bind do të votojmë”.