Gentian Mezani e ka parashikuar saktësisht duelin e një finale për Europën si ajo mes Kukësit dhe Partizanit. I ftuar në një lidhje live për emisionin “Sport Magazine” që moderohet nga Drilon Xhepollari në “Ora Neës”, para nisjes së ndeshjes së djeshme, Mezani u shpreh se Partizani do t’ia dilte ndaj Kukësit.
Gjithashtu Mezani sheh një rezultat surprizues në ndeshjen e sotme mes Tiranës dhe Teutës. Bardheblutë po bëhen gati për herë të tretë për festën e titullit kampion, por sipas trajnerit shqiptar mund të presë ende pasi Teuta është e favorizuar në këtë përballje. Nga ana tjetër ka edhe një thirrje për kryeqytetasit që duhet të bëjnë kujdes me hapat e gabuara në ndeshjet e fundit sepse Laçi po afrohet dhe mund të rrezikohet titulli kampion, që do të ishte një çmenduri e vërtetë.
“Është shumë e bukur që garë të hapur për Europën, i jep më shumë emocion kampionatit shqiptar. Por në këtë moment që po flasim, Partizani është më në formë, ndryshe nga Kukësi dhe Vllaznia që kanë luhatje. Pavarësisht se luhet në Kukës, Partizani mendoj se mund të fitojë duke parë ecurinë pozitive dhe gjendjen fizike dhe psikologjike të lojtarëve. Tirana? Do të jetë fituesja e Superiores, do të ishte anormale të ndodhte e kundërta.
Teuta duhet të bëjë maksimumin në këtë ndeshje, i duhen me patjetër tre pikë dhe jo rezultat i dytë. Duke e gjetur disi të shpërqëndruar Tiranën me dy humbje, unë shoh Teutën më të avantazhuar. Nga ana tjetër Tirana duhet të bëjë kujdes pasi Laçi nuk po humbet dhe mund ta vendosi në presion për titullin. Mendoj se te Tirana po diskutohet vetëm ana psikologjike, jo fizike e lojtarëve. Xhixhën e veçoj në këtë sezon. E kam stërvitur vetë, por më ka befasuar shumë. Ka arritur të marrë për dore Tiranën edhe pa Seferin”, tha Mezani. /Sport Ekspres/