Gjermania publikon listën e Botërorit, Sane mbetet jashtë

Trajneri i Gjermanisë Joakim Lëv ka vendosur për 23 lojtarët që do të shkojnë në Kupën e Botës, duke shpallur listën në një konferencë për shtyp zhvilluar paraditen e sotme.

Surpriza është lënia jashtë e anësorit të Mançester Sitit Leroj Sane, me 22-vjeçarin që në kualifikuese luajti vetëm një herë titullar dhe duket se nuk është në preferencat e trajnerit të kombëtares, përtej faktit që vjen nga një sezon i shkëlqyer me Mançester Sitin, duke luajtur thuajse gjithnjë në formacion dhe duke shënuar 14 gola në të gjitha kompeticionet (plus 17 asiste).

Përveç Sanesë, mbeten jashtë Botërorit edhe portieri 26-vjeçar i Leverkuzenit Bernd Leno, mbrojtësi 22-vjeçar i Leverkuzenit Xhonatan Tah dhe sulmuesi 29-vjeçar i Frajburgut, Nils Petersen. Ndërkaq, është konfirmuar prania e Manuel Nojerit në 23-shen që shkon në Rusi, që do të thotë se portieri i Bajernit merr vendin e titullarit.

Nëse ndonjë lojtar do të dëmtohet deri më 17 qershor, kur do të luhet ndeshja e parë në Botëror kundër Meksikës, Lëv do të ketë mundësi të grumbullojë një lojtar tjetër deri 24 orë para ndeshjes.

Më 8 qershor Gjermania do të presë në Leverkuzen Arabinë Saudite dhe më 12 qershor do të transferohet në Rusi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *