Dush i ftohtë për kampionët e botës, që në ndeshjen hapëse të Botërorit 2818 u mundën keq nga Meksika, që i masakroi në kundërsulm dhe dhuroi spektakël.
Sot Gjermania ka anuluar çdo dalje për mediat dhe stërvitja do të zhvillohet më dyer të mbyllura, për të rigjetur qetësi.
Megjithatë, deklaratat e lojtarëve gjermanë pas ndeshjes krijojnë përshtypjen se gjërat nuk shkojnë mirë brenda skuadrës. Mats Humels akuzon: “Meksika na masakroi në kundërsulm dhe ishim vetëm unë e Boateng, pa asnjë mbështetje. Duhet ta themi hapur, faza mbrojtëse nuk funksionoi. Nëse dalim me 6-7 lojtarë në sulm, mungon ekuilibri dhe Meksika na goditi pa mëshirë”.
Edhe Boateng në të njëjtën linjë: “Kemi folur për tre ditë rresht për ekuilibër dhe në fushë nuk e treguam kurrë”.
Edhe ish-lojtarët e kombëtares gjermane janë treguar shumë kritikë, duke nisur nga Oliver Kan, i cili i bie shkurt: “Meksika duhej të fitonte me disa gola diferencë, patëm fat”.
Mikael Balak po ashtu nuk sheh justifikim: “Mungoi shpirti i skuadrës, mungoi uria dhe dëshira për fitore. Lëv ka përgjegjësi, të gjejë zgjidhje”.
Lotar Mateus shkruan në Bild: “Prej kohësh nuk shihja një Gjermani kaq të dobët në turne madhore, tani presioni është i madh. Mungesë përqendrimi, shumë gabime, vendosje jo e saktë, askush nuk provonte një driblim. Rojs duhet gjithnjë titullar dhe mendova edhe për Sanenë, i cili u la në shtëpi”.
Edhe vetë Rojs pranon në një farë mënyre se ndeshja ishte përgatitur keq: “Trajneri më la në stol sepse i duhesha për ndeshje më të rëndësishme”. Me siguri 25 milionë gjermanë që panë ndeshjen nuk e mendojnë si Lëv.