Gjermani e moshuar, Meksika më e mirë në histori

Hirving Lozano fundosi Gjermaninë me një gol shënuar në pjesën e parë në sfidën e luajtur Luzhniki Stadium, duke bërë që Grupi F të nisë me një surprizë madhore si rezultat, por jo si lojë, sepse nëse skuadra e drejtuar nga Huan Karlos Osorio do të shënonte disa nga rastet e shumta që krijoi, humbja mund të ishte me shifra të turpshme për Gjermaninë. Vetëm në 20 minutat e fundit të ndeshjes rrethimi i Gjermanisë u duk se mund të sillte ndonjë gol, por nuk ishte e thënë, sepse Oçoa ishte në formë perfekte dhe sulmi gjerman nuk prodhoi shumë, përveç tentativave të Toni Krosit.

Britanikja “Independent” ka hartuar një listë prej 5 gjërash që na mësoi ndeshja mes Gjermanisë e Meksikës:

KJO ËSHTË MEKSIKA MË E MIRË NDONJËHERË

Në 6 Botërorët e fundit Meksika e shumta ka mbërritur deri në 1/8-at, herë duke u eliminuar në mënyrë të merituar e herë për kapriçot e fatit, si një humbje me penallti ndaj Bullgarisë në 1994, një supergol në shtesë nga Maksi Rodrigez kundër Argjentinës në 2006, një penallti në minutën e 94-t shënuar nga Huntelar 4 vite më parë ndaj Holandës.

Megjithatë, Meksika e Botërorit rus duket ndryshe, edhe pse nuk dihet ende sa larg do të shkojë dhe nuk mjafton vetëm një ndeshje për të kaluar në elozhe pa fund. Osorio ka ndërtuar një skuadër që di të mbrojë me kujdes dhe zgjuarsi, ndërsa daljet në sulm janë të pabesueshme, si një skuadër klubi, me lojtarë që njihen përmendësh, edhe pse para zonës kundërshtare gabimet ishin të shumta. Për të shkuar mes 8 më të mirave Meksika duhet të fitojë patjetër grupin, pasi më pas shorti do të ishte i mirë.

GJERMANIA DUKET PAKSA E MOSHUAR

Ka një tipar të përbashkët për kampionët në fuqi: e nisin shpesh keq Botërorin pasardhës dhe ka raste që nuk kalojnë as grupin. Nuk është rasti i Gjermanisë, ndoshta, por 7 titullarë sot ishin 28 vjeç e lart dhe vuajtën jashtëzakonisht shpejtësinë dhe energjinë e Meksikës. Toni Kros dhe Sami Kedira ishin në vështirësi të mëdha, kur kundërshtarët i sulmonin me shumë lojtarë, ndërkohë që skemat e Lëvit duken të çuditshme, sepse Gjermania nuk është në formë perfekte fizike dhe nuk mund të luajë aq e avancuar në sulm.

SANE DO ISHTE SHUMË I VLEFSHËM

Është kthyer në debatin e muajit të fundit dhe Lëv u justifikua duke thënë se Sane nuk i përshtatet sistemit të tij të lojës dhe me kombëtaren nuk ka qenë kurrë ai që shkëlqen te Siti. Megjithatë, duke parë furinë e Meksikës, ishte e paevitueshme të mendoje se Sane në fushë do ishte përgjigja e duhur për të mbajtur Meksikën në presion, ndërsa me emra si Draksler, Myler e Ozil Gjermania ishte shumë e ngadaltë.

LOZANO ËSHTË ZBULIM I BOTËRORIT

Në Meksikë ishte një yll, te PSV këtë sezon ka qenë fantastik, por është tjetër gjë të tregosh sa vlen në nivele të larta. Lozano kundër Gjermanisë ishte fenomenal, duke tërbuar gjermanët për një orë, derisa u zëvendësua. Ndoshta ka difekt faktin që nuk bën gjënë më të lehtë para porte, por te PSV ka shënuar 17 gola në 29 ndeshje, si dhe ka dhënë 8 asiste. Dhe është vetëm 22 vjeç!

BOTËRORI ËSHTË I PAPARASHIKUESHËM

Para Botërorit e dinim kush ishin favoritët. Të zakonshmit, apo jo? Dakord, por deri tani Spanja, Portugalia, Franca, Argjentina e Gjermania kanë shfaqur defekte të mëdha. Ndoshta është rastësi, Botërori nuk fitohet në ndeshjet e para, por Gjermania ishte shumë larg nivelit të Botërorit 2014 dhe Franca e Argjentina nuk po dinë si të shfrytëzojnë emrat e mëdhenj. Mos ka ardhur koha që të kemi ndonjë surprizë të madhe?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *