Gjendja në klubin e Barcelonës nuk është aspak e qetë pas atij skandali të bërë publik nga “Cadena SER”. Klubi katalanas kishte firmosu kontratë me kompaninë “13 Ventures”, që pastronte imazhin e presidentit Bartomeu, por nga ana tjetër kishte në pronësi qindra llogari në rrjetet sociale ku cënoheshin kundërshtarët e bordit. Madje ndër emrat, figura e të cilëve dëmtohej nga kompania në fjalë, përmendeshin Messi, Pique, Xavi, Guardiola apo edhe Pyol.
Kjo ka sjellë edhe reagimin e menjëhershëm të Barcelonës, ndërsa edhe vetë Bartomeu ka thyer heshtjen. Ky i fundit mohon të ketë paguar për shpërndarjen e informacionit negativ. Megjithatë nga ana tjetër pranon faktin se ka lidhur kontratë me një kompani për mbikëqyrjen e klubit në rrjetet sociale. Gjithashtu Bartomeu shton se kjo marrëveshje është ndërprerë menjëherë pas këtij lajmi, ndërsa shton se monitorimi i mediave sociale do të vazhdojë të kryhet nga klubi. Kjo pasi sipas tij është detyrë e Barcelons të dijë se ç’ndodh apo thuhet për ta në gjithë botën në çdo kohë.
“Nuk është e vërtetë që ne kemi paguar për shpërndarjen e informacionit negativ. Dua që të jetë e qartë: Barcelona kurrë nuk ka porositur asnjë kompani të diskreditojë askënd. Është gënjeshtër dhe nëse jemi të detyruar ta bëjmë atë, ne do të mbrohemi në çdo mënyrë të disponueshme.
Është e vërtetë që në fund të vitit 2017, Barcelona nënshkroi një kontratë me një kompani për shërbimet e monitorimit të zonave të ndryshme të klubit në mediat sociale. Megjithatë, këtë mëngjes, unë lëshova një urdhër për të ndërprerë marrëveshjen me I3 Ventures pasi u konfirmua se një nga llogaritë e lidhura me këtë kompani paraqet komente të papërshtatshme për njerëzit e lidhur me organizatën tonë
Ne kemi porositur monitorimin e mediave sociale dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Kjo është ajo që bëjnë shumica e klubeve. Është detyrë e Barcelonës të dijë se çfarë po ndodh dhe çfarë thuhet në të gjithë botën në çdo kohë të caktuar. Ne e bëjmë gjithmonë këtë për të mbrojtur imazhin e Barcelonës. Sidoqoftë, ne nuk kemi diskredituar askënd dhe ne do të ndjekim penalisht ata që na akuzojnë për të. Do të mbrohemi”, ka deklaruar Bartomeu./Sport Ekspres/