Gazetarja i përmend Ilir Dajën, dyfytërsia e madhe e Tahir Batatinës, akuzoi edhe Adrion Pajazitin

Tahir Batatina ka bërë një bujë të madhe në ditët e fundit me një deklaratë të dhënë në “RTV Dukagjini”. Batatina nxori një ide tërësisht anormale teksa u shpreh se do t’i propozonte Federatës së Futbollit të Kosovës që të dërgonte një letër në FIFA, në mënyrë që Shqipëria të mos i marrë më lojtarë Kosovës, futbollistë të cilët janë rritur në grupmoshat e Kosovës. Një rregull ky që nuk ekziston për asnjë Kombëtare dhe sigurisht që FIFA nuk mund t’i jepte të drejtë Kosovës në këtë rast.

Por ajo që të bën habi të madhe, është padyshim dyfytërsia e madhe e Tahir Batatinës. Trajneri shqiptar duket se e ka problemin direkt me Shqipërinë si Kombëtare dhe jo me Etnik Brrutin apo raste të tjera. I ftuar në “ATV”, gazetarja Klodiana Bufi, në një lidhje live nga Tirana, ka thënë se Etnik Brruti nuk mund të quhet kurrsesi tradhtar pasi në fund të fundit është pjesë e Shqipërisë dhe se tema të tilla nuk duhet të diskutohen. Por Tahir Batatina u shpreh: “Ne nuk kemi kundërshtuar as kalimin e Mujës, as të Dakut dhe as të Arbër Hoxhës, por një kapiten të Shqipërisë U-21 ne nuk e marrim te Kosova, se nuk është e drejtë, ne jemi vëllezër dhe duhet ta mbështesim njëri-tjetrin. Nuk ka thënë njeri se është tradhtar Brruti, ne jemi një, nuk ka tradhëti këtu. Problemi qëndron se nuk mund të marrësh një lojtar ti që është rritur nga grupmoshat e Kosovës”, tha Batatina.

Ndoshta nga mesazhet e shumta në telefonin e tij kanë bërë që Batatina të ketë një qasje më të mirë ndaj Shqipërisë dhe të kujtojë flamurin për të cilin ka luftuar në kohën e UCK. Por dyfytërësia e tij qëndron në faktin se para disa vitesh, ka akuzuar në po të njëjtën mënyrë lojtarin që debutoi dje me Shqipërinë A, Adrion Pajazitin. Po në emisionin “Dueli Sportiv”, atëherë Batatina nuk u përmbajt ndaj babait të Adrion Pajazitit. “Djali jot duhet të luaj për Kosovën, për shtetin e tij. Ata që nuk duan pastaj, ne i përshëndesim kudo të shkojnë, le të shkojnë në Shqipëri apo Kombëtare të tjera apo të mbesin si Januzaj pa Kombëtare fare në të ardhmen. Të jem unë trajner i Kosovës, unë nuk i marrë lojtarët që na refuzojnë njëherë. Ta doje më shumë se unë Kosovën ti do rrije këtu, jo të veje në Shqipëri. Mos më shit patriotizëm mua. Ta doje Kosovën do rrije këtu ti, po doje më shumë paranë, lekun dhe fëmija jot ishalla e don lekun dhe shkon në Shqipëri dhe në Barcelonë”, tha Batatina asokohe.

Pra nëse tani për Brrutin thuhet se erdhi te Shqipëria pasi kërkon të transferohet në Rusi, në rastin e Adrion Pajazitit, akuzat ishin tërësisht të pabaza. Mbi të gjitha dyfytërisa e Batatinës qëndron në faktin se Pajaziti ndryshe nga Brruti, është rritur te Fulham dhe nuk ka qenë në asnjë ekip të Kosovës. Gjithashtu ai përfaqësoi për herë të parë Shqipërinë U-19 dhe pasi shkoi për 3 ndeshje me Kosovën U-21, u rikthye sërish te Shqipëria U-21. Pra duket se problemi i Batatinës nuk qëndron në faktin se lojtarë që janë rritur në Kosovë po ikin te Shqipëria, pasi ky nuk ishte rasti i Pajazitit që i përmendet edhe Adnan Januzaj.

Në fund gazetarja Klodiana Bufi, i ka kujtuar Batatinës se ishte Ilir Daja njeriu që bëri histori në futbollin e Kosovës, teksa për herë të parë e dërgoi një ekip të Kosovës në arenën europiane, duke e kualifikuar jo njëherë, por dy herë radhazi në Conference League. Edhe këtu, Batatina e sfumoi suksesin e bërë nga trajneri i njohur në Shqipëri. “Ilir Daja ka pasur një Kombëtare te Ballkani, jo një skuadër, por një Kombëtare. Lojtarët që kanë luajtur te Ballkani sot janë pjesë e Kosovës, 5 a 6 lojtarë”, tha Batatina.  Në fakt e vërteta qëndron në faktin se Ilir Daja është ai që i ka ngritur këta lojtarë në një nivel tjetër, që ata të ftoheshin te Kosova. Ilir Daja nuk i ka gjetur ata të gatshëm dhe të thirrur nga Kosova, por mesa duket, Batatina e ka gjithmonë një ide sesi të bëjë ndasinë e sukseseve. /Sport Ekspres/