Milani ka mundur Spalin me rezultatin e thellë 4-0, duke vijuar momentin e mirë të formës. Pjesa më e madhe e meritës shkon për trajnerin Xhenaro Gatuzo që, sipas asaj që shkruan gazetari i njohur i Premium, Karlo Pelegati, është trajneri më pak i paguar në Serinë A, me vetëm 120 mijë euro rrogë. i 20-ti nga 20 pankina, por i katërti si rendiment dhe pikë të grumbulluara që ditën kur mori edhe stolin kuqezi: 10 ndeshje kampionati me 18 pikë, vetëm Juventusi (28), Napoli (25) dhe Udineze (21) kanë bërë më mirë.
Pozicion i ndarë me Atalantën, që gjithashtu ka bërë 18 pikë. Praktikisht, nëse do të bëhej një krahasim, atëherë edhe futbollisti i kombëtares, Ledian Memushaj, që mban veshur fanellën e Beneventos, fiton 150 mijë euro në sezon, pra 30 mijë më shumë se Gatuzo.
Sigurisht, për Rinon pritet një kontratë e re, në rast se do të qëndrojë dhe këto dy javë janë tepër delikate në këtë aspekt. Trajneri është duke shfrytëzuar shumë mirë shansin që iu dha dhe tani po merr frytet e punës, në pritje të thirrjes te zyra e Fasones dhe Mirabelit, ku do të hidhej e zeza mbi të bardhë.