Trajneri kërkon dhe një sforco të fundit: Nëse fitojmë të dielën, hapen skenare të tjerë. E ardhmja? Këtu është shtëpia ime. Për pak mendova se e humba Kaliniçin si lojtar, por për fat kaluam
Trajneri i Milanit, Xhenaro Gatuzo i ka dhënë një tjetër sinjal drejtuesve të klubit se dëshiron një kontratë afatgjatë me kuqezinjtë. Rino ka mundur të sigurojë finalen e tij të parë si trajner falë suksesit kundër Lacios në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Ai nuke ka fshehur gëzimin për këtë arritje, teksa nuk ka ngurruar t’i dalë në mbrojtje dhe Nikola Kaliniçit, i cili nëse Milani do të eliminohej do të kishte të gjithë botën mbi kurriz për rastin e humbur përballë Strakoshës dy minuta nga fundi i shtesës.
Gatuzo për ndeshjen – “Jam shumë i kënaqur sepse jemi kualifikuar me meritë në finale. Lacio është një skuadër që të gjithë rivalë i shënon nga 4-5 gola në shtëpi. Ajo është një nga skuadrat që ka shënuar më shumë në Evropë, janë shumë të fortë teknikisht e fizikisht. Ne jemi treguar të zotët, pasi nuk i kemi dhënë shumë hapësira, sidomos Imobiles. Jemi treguar të zotët sepse kemi luajtur si skuadër. Ishim të përgatitur për të vuajtur, por kemi qëndruar në fushë dhe e kemi çuar lojën në binarët e duhur, ashtu siç e kishim përgatirur.”
Gabimi i Kaliniç – “E kisha kuptuar se do të më duhej të punoja shumë me mendjen e tij. por kushdo që ka luajtur futboll e di fare mirë se dhe një rast i tillë mund të humbet. Për një moment mendova se humba një lojtar, por për fat kemi kaluar në finale. Ai ka shtrënguar dhëmbët, edhe pse me një problem fizik është vënë në shërbim të ekipit. Është një lojtar mjaft teknik, por më vjen keq që nuk po arrin të gjejë golin, por është një kampion të cilit i besoj.”
Mbrojtja e hekurt – “Ne po punojmë mbi disa koncepte bazë. Askush nuk flet, por kjo skuadër luan gjithnjë duke e mbuluar topin dhe nuk i lë asnjë mundësi kundërshtarëve pë rtë depërtuar. Kjo është meritë e lojtarëve, të cilët besojnë në atë çfarë po bëjnë. Unë nuk i lë rehat dhe ata e dinë fare mirë se kështu do të jetë deri në qershor. Më pas t gjithë me pushime. Kontrata është problemi i fundit. Ne duam të kthehemi ajo skuadër që i emociononte tifozët e saj dhe dalëngadalë po ia dalim.”
E ardhmja e Rinos – “Nuk pretendoj të jem një trajner i madh dhe më duhet të mësoj shumë më shumë se kaq. Këto ditë po flitet shumë dhe po më duket vetja sikur po kthehem në një guru të stolit. Nuk jam askush edhe pse në këto pesë vjet kam punuar shumë. Askush nuk më ka dhuruar asgjë. Kam fituar një kampionat, kam bërë eksperiencë jashtë Italisë. Taktika nuk mësohet nga librat, por me dhunë. Por nuk e cilësoj veten një guru, rruga ime është shumë e gjatë dhe po kaq e vështirë. Unë gomone shpëtimi? Unë e shoh veten si një djalosh me fat, të cilit i është dhënë një shans i artë dhe që po e shfrytëzon. Po argëtohem shumë, për mua është një ëndërr ajo çfarë po përjetoj. Dua të qëndroj sa më gjatë këtu. Milani është shtëpia ime.”
Milani i Gatuzos – “Mendoj se dhe Montela ka një pjesë të meritës. Unë kam ndryshuar diçka, kam modifikuar diçka, por loja me topin mbetet. Ka diçka nga puna e bërë prej Montelës në këtë ekip dhe kjo nuk duhet harruar. Puna e tij më ka ndihmuar.”
Derbi – “Është shumë e rëndësishme të rikuperojmë sa më shumë energji dhe të zbresim në fushë me të njëjtën vendosmëri. Duhet të rikuperojmë sa më shpejt të gjithë lojtarët dhe të përgatisim sa më mirë në planin fizik dhe psikologjik derbin. Për tifozët tanë kjo ndeshje vlen shumë. Nëse fitojmë derbin, mund të hapen horizonte të reja.”