Gatuzo “ngre alarmin”: Jemi të lodhur!

 

Trajneri kuqezi, pas suksesit në derbi, prezanton sfidën ndaj Fiorentinës: Derbi na ka motivuar, por duhet të jemi më skuadër se zakonisht. Synoj te Kutrone

Pas fitores në derbin e Kupës së Italisë (“Na ka dhënë një shtysë morale, nuk e di nëse ta quaj derbin e kthesës, pasi është ende herët”), Milani i Xhenaro Gatuzos rikthehet me zemër në kampionat. Në ndeshjen e javës së 19-të, kuqezinjtë priten në “Artemio Franchi” nga Fiorentina: “Ata mbërrijnë nga një ecuri shumë pozitive dhe ne, jo për të vendosur duart përpara, por kohët e fundit kemi shpenzuar shumë energji: do të jetë e vështirë. Duket qartë që stërviten nga një trajner i madh, pësojnë pak gola dhe shprehin një lojë të bukur”.

Formacioni – Praktikisht, i sigurt rikthimi i Xhixho Donarumës: “Është stërvitur dhe ndaj mendoj se do të jetë ai mes shtyllave”. Më pas, një parantezë për numrat e sezonit: “Kemi goditur në portë 317 herë dhe vetëm 23 gola kemi shënuar. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt”. Mbi Kutronen: “Duhet shfrytëzuar kjo energji e tij. Është i nënti gol këtë sezon, nuk më duket një djalosh që i rritet mendja. Do të bëjë të tijën dhe mund ta bëj: kur e thërret nga bankina, bëhet gati në 2 sekonda. Nëse i kërkon të bëjë portierit, vesh dorashkat dhe futet në portë…”.

Fiziku –  “Kemi bërë shumë pak për të përgatitur këtë ndeshje, kam parë shumë futbollistë të lodhur dhe shpresoj që të mos e shoh në sfidën e nesërm (sot). Duhet të luajmë si skuadër e vërtetë, ndryshe do të jenë 90 minuta shumë të vështira”.

Presidenti – Një sqarim edhe për mbledhjet e klubit: “Kam folur shumë si me presidentin, ashtu edhe me Fasonen dhe Mirabelin këto orët e fundit: ndjej besimin e tyre të fortë karshi meje”. Rikthim në derbi: “Goli i anuluar nga VAR, për absurditet, na ka dhënë besim, sikur erdhi një sinjal pozitiv. Në vështirësinë e parë, kjo skuadër kohët e fundit nuk jepte shenja reagimi. Do të na ndihmojnë edhe më shumë fitoret, vetëdija që vjen nga këto, duke punuar me buzëqeshje te buzët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *