Elseid Hysaj ka bërë një ndeshje shumë të mirë ndaj Atalantës, në takimin e vlefshëm për Kupën e Italisë. Përballja ka përfunduar në shifrat 0-0 dhe mbrojtësi shkodran ka luajtur nga minuta e parë në këtë përballje. Duke ofruar siguri të madhe për prapavijën e duke tentuar disa dalje për fazën ofensinve, Hysaj është kthyer në një skemë të njohur për të. Trajneri Gatuzo ka ndryshuar skemën duke vendosur 3-5-2 e njohur që kthehet në temë diskutimi në Shqipëri, sa herë që vjen momenti i Kombëtares.
E në këtë skemë të re, Hysaj ka gjetur përshtatjen më të mirë. “Nuk ishte e vështirë për mua që të luaja me 5 në mesfushë. Te Kombëtarja e Shqipërisë luajmë me të njëjtin modul. Në pjesën e parë kemi folur shumë me trajnerin sesi duhej të përmirësoheshim. Ishte një ndeshje e vështirë, por në fund rezultati 0-0 është i mirë, pasi me rëndësi që të mos pësonim. E ardhmja? Dua të respektoj kontratën deri në fund dhe më pas do të vendosim. Le ta mbyllim kampionatin në mënyrën e duhur, jam i fokusuar te Napoli, kam shumë vite këtu dhe nuk mendoj për asgjë tjetër”, u shpreh Hysaj. /Sport Ekspres/