Thomas Strakosha e ka humbur vendin e titullarit te Lacio dhe nuk është më i preferuari i Inzagit. Portieri shqiptar nuk po arrin që ta kontrollojë konkurrencën me Pepe Reinën në mënyrën e duhur, duke iu dorëzuar eksperiencës së madhe.
Deri në këto momente trajneri i Lacios, Inzagi, kishte zgjedhur që të bëjë diplomatin duke treguar se Strakosha është një nga portierët më të mirë të Italisë, Ndërkohë kur pyetej mbi arsyen e mungesës gjithçka lidhej me infektimin nga pandemia dhe kohën që kërkohet për t’u rikthyer në nivelin më të larta.
Por për herë të parë pas ndeshjes kundër Napolit që u fitua në shifrat 2-0, Inzagi ka treguar edhe preferencën e tij. “Reina apo Strakosha? Strakosha ka humbur 20 ditë për shkakun e COVID. Kam gabuar që e lashë të luajë kundër Udinezes, duhet të prisja. Do të vijë edhe koha e tij. Por Reina po bënë shumë mirë. Nuk do të ishte e drejtë që të hiqja Reinën. Ai e meriton që të jetë në portë”, tha Inzagi.
Sa i përket ndeshjes së sipërpërmendur, bëhet fjalë për përballjen që Lacio dështoi në shtëpi kundër Udinezes në shifrat 1-3. Ajo do të ishte sfida e parë dhe e fundit për Strakoshën pas rikthimit të tij duke bërë gabime me peshë që ndikuan edhe në fatin e rezultatit. /Sport Ekspres/