Pas tre javësh plot energji, emocione dhe pasion për futbollin, turneu “Futsal Junior” përfundoi me sukses edicionin e tij të tretë. Në një aktivitet që për tre javë me radhë mblodhi rreth 500 fëmijë pjesëmarrës dhe qindra tifozë, turneu u shndërrua në një festë të vërtetë futbolli.
Sekretari i Përgjithshëm i SHRF Tiranë, Ardian Haçi, në një përmbledhje të punës së bërë dhe objektivave për të ardhmen, theksoi rëndësinë që ky turne ka në strategjinë afatgjatë të zhvillimit të futbollit për fëmijë, si dhe planet konkrete për zgjerimin e mëtejshëm të këtij aktiviteti, që po fiton gjithnjë e më shumë interes brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Mbyllja e turneut “Futsal Junior” dhe një përmbledhje e punës së bërë gjatë tre javëve në kuadër të organizimit të këtij aktiviteti – Në vijim të asaj që kemi deklaruar edhe më parë, ky ishte edicioni i III-të i turneut “Futsal Junior”. Brenda dy viteve janë zhvilluar tre edicione të këtij aktiviteti, që është pjesë e një programi 5-vjeçar që ne kemi planifikuar për të organizuar këtë lloj futbolli dhe shumë aktivitete të tjera në nivel futbolli amator. Aktiviteti ishte një sukses i madh. Morën pjesë 48 ekipe me një numër total prej 500 fëmijësh. Kërkesa për të marrë pjesë ishte edhe më e madhe. Por për shkak të mungesës së fushave në këtë lloj sporti, u detyruam që ta bëjmë në këtë lloj formati, me kaq ekipe dhe kaq fëmijë pjesëmarrës.
Rëndësia e turneve të tillë për fëmijët – Në këndvështrimin tonë është shumë i rëndësishëm. Në të gjitha federatat evropiane dhe ballkanike, ky është një aktivitet i njohur tashmë dhe është pjesë e çdo federate. Qëllimi ynë që jo vetëm të zhvillojmë fëmijët teknikisht, por edhe ta pasurojmë më tej futbollin dhe të bëjmë të mundur që ky lloj sporti të bëhet pjesë edhe më e gjërësishme e FSHF-së
Çfarë planesh ka SHRF Tiranë për të ardhmen dhe aktivitetet e këtij lloji – Planet e së ardhmes janë konkrete. Së shpejti do të organizojmë një turne tjetër edhe më masiv pasi ka kërkesa nga e gjithë Shqipëria por edhe nga jashtë territorit shqiptar. Këtë vit në turneun për moshën U-9 mori pjesë edhe një ekip nga Gostivari, ekipi i Besës. Ata kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë edhe në turnetë e ardhshëm që ne do të organizojmë.