Gabriele Gravina jep lajme pozitive për të gjithë tifozët, teksa zotohet për ta nisur me spektatorë në stadium Kampionatin Europian që do të nisë në muajin qershor. Kreu i Federatës Italiane të Futbollit ka deklaruar se Roma do të organizojë 3-4 ndeshje të këtij kompeticioni, që me praninë e tifozëve në tribuna pritet t’i sjellë përsëri magjinë e munguar futbollit.
“Ne kemi punuar dhe investuar në organizimin e Kampionatit Evropian për dy vjet. Duhet të punojmë së bashku në mënyrë që Roma të mbrojë organizimin e 3-4 ndeshjeve që duhet të presim në Itali. Ne kemi treguar se mund ta arrijmë këtë objektiv të rëndësishëm, që duhet ta përmbushim, me praninë e publikut.
Jemi të bindur që deri më 7 Prill do të kemi një përgjigje ndaj nevojës dhe kërkesës sonë që do t’i paraqesim Uefa-s, e cila nuk mund të mos marrë parasysh se Italia, edhe një herë, ka treguar se është në një hap me kohën, por, mbi të gjitha, një Federatë që arrin të jetë qendrore në botën e sportit dhe ndaj forcave politike”, ka deklaruar Gabriele Gravina./Halit Delibashi-Sport Ekspres/