Për këdo që mendon se jeta dhe karriera nuk lidhet aspak me fatin, duhet të ndryshojë mendim, veçanërisht nëse i hedh një vështrim rastit të Geraldo Bajramit. Ky mbrojtës është rritur te Birmingham dhe ka spikatur në shumë ndeshje me Shqipërinë U-21, duke qenë i pakalueshëm. Gjithashtu ka mbajtur edhe shirtin e kapitenit te Birmingham U-23, duke u dalluar mes të gjithë lojtarëve të tjerë.
Më pas Bajrami nisi të bënte disa hapa mbrapa në nivelet më të ulëta të futbollit anglez derisa iu bashkua Notts County. Aty nis edhe fati i keq i këtij lojtari që tani është në moshën 24-vjeçare. Notts County luante në Nationals League, por Bajrami e kishte kohën përpara për të shtyrë drejt niveleve më të larta të futbollit anglez.
Pas një sezoni të shkëlqyer me Notts County, në gusht të 2023, mbrojtësi shqiptar pëson një dëmtim të rëndë në gju në ndeshjen kundër Lincolin, të zhvilluar saktësisht në 8 gusht. Pasi e nisi si titullar, Geraldo duhej të linte lojën dhe humbi të gjithë sezonin futbollistik që përfundoi në maj.
Por papritur fati i buzëqeshi Bajramit dhe duket se i ktheu gjithë sakrificën e bërë. Burton zgjodhi që ta transferonte në League One, një nivel shumë i lartë i futbollit në Angli ku në rast se kjo skuadër merr një nga dy vendet e para, do të kalojë në Championship, niveli i dytë i futbollit anglez pas Premier League.
Pra, pavarësisht se nuk luajti gjithë sezonin, Bajrami bëri dy hapa para në karrierë në nivele dhe iu bashkangjit Burtonit që luan në nivelin e tretë të futbollit anglez. Madje në momentin që u bë nënshkrimi, Bajrami ishte ende i dëmtuar. Por në datën 17 shtator të këtij viti, Bajrami debutoi me 15 minuta në ndeshjen Mansfield-Burton. Dhe drama e vërtet i përket 20 shtator. Burtoni luan kundër Leicester U-21 në “EFL Tropfy”dhe Bajrami e nis ndeshjen nga minuta e parë, hera e parë si titullar. Pas vetëm 4 minutash loje Geraldo duhet të dalë nga fusha e blertë dhe më pas mëson se ka këputur sërish ligamentin. Kështu klubi anglez konfirmon se Bajrami e ka mbyllur këtë sezon futbollistik dhe mund të rikthehet vetëm në verën e vitit 2025. Dy vite pa luajtur futboll, askush nuk i shpëton dot fatit të tij, megjithëse vet lojtari gjeti sërish forcë teksa u shpreh: “Ia kam dalë njëherë në situatë të tillë, do t’ia dalë prapë”. /Sport Ekspres/