“Futbollistët shqiptarë të paguhen normalisht”, Lila ngre zërin për lojtarët: Një muaj pa rrogë është problem i madh

Ndalja e futbollit ka dhënë shumë shpejt edhe pasojat e veta, ku shumë klube po hasen me probleme financiare. Kjo ka sjellë edhe në vendime ekstreme si mos pagimi i futbollistëve deri në momentin që do të rikthehen sërish në fushë, apo edhe më keq duke ndërprerë kontratat me futbollistët. Një vendim i tilë patjetër që ka hapur polemika në gjithë Europën, ndërsa kreu u Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë të Shqipërisë, Andi Lila, shprehet kategorikiht kundër një qendrimi të tillë nga klubet.

Në një prononcim për “FanZone” të “Supersport”, Lila thekson se në vendin tonë lojtarët duhen paguar normalisht, pasi një muaj pa marrë rrogën në Shqipëri është një problem i vërtetë për ta, duke ditur edhe faktorët ekonomikë në të cilët jetojmë. Gjithashtu futbollisti i Kombëtares ka prekur edhe çështjen e Sionit, ku e cilësoi vendimin e marrë nga presidenti i klubit zvicerian si të gabuar.

“Është e rëndësishme për futbollin shqiptar se ai europian është ndryshe. Futbolli shqiptar është ndryshe me Europën, një muaj jo i paguar në Shqipëri është problem i madh për futbollistët profesionistë.

Sa i përket Sionit, nuk më duket normale shkarkimi i lojtarëve se çdo futbollist ka rënë parimisht dakord me presidentin përpara për kushtet financiare, ai nuk mund të marrë vendim të përgjithshëm, duhet të ulet individualisht e të bisedojë me çdo lojtar, nuk mund të veprojë sipas mendjes së tij. Secili mund të sensibilizohet vetë, gjysmën e rrogës e jep për bamirësi, t’i quhet futbollistit e jo presidentit. Për mendimin tim sjellje e tillë është problem shumë i madh,për kampionatin shqiptar futbollistët duhet të paguhen normalisht se është shumë e vështirë situata”, është shprehur Andi Lila./Sport Ekspres/