Nëse mendoni se futbolli është veç një lojë dhe gjithçka mbetet aty pas vërshëllimës përfundimtare të arbitrit, atëherë gaboheni. Emocionet e përjetuara dhe lidhja e krijuar mes lojtarëve dhe tifozëve apo këtij sporti shpesh i kalojnë kufijtë. Shembullin më të qartë e jep Karlos Tevez. Futbolli përpara familjes, kjo është zgjedhja që argjentinasi ka bërë në ditën e veçantë.
Boka Xhuniors ka mposhtur me shifrat 2-0 Rejsing Klub, duke siguruar kështu kualifikimin në gjysmë-finalet e Kupës Libertadores. Por megjithëse familja e priste në shtëpi për të festuar përvjetorin e martesës, Tevez zgjedh të festojë tjëtër kund, pikërisht me tifozët për kualifikimin e arritur. Më pas lojtari ka kërkuar falje për bashkëshorten e tij në një prononcim për “TycSports”, por justifikohet me faktin se duhej të kënaqte tifozët.
“Duhet t’i kërkoj falje gruas sime që nuk isha me të dhe me fëmijët tanë për të festuar 4 vjetorin e martesës. Ajo më jep forcë për të bërë gjithçka dhe është shumë e rëndësishme për mua. Por… e kuptoni se unë duhet të kënaqja tifozët e Boka Xhuniorsit”, ka thënë Karlos Tevez./Halit Delibashi-Sport Ekspres/