Futbolli në kaos, Gjykata e Tiranës nuk regjistron zgjedhjet në FSHF

Gjykata e Tiranës nuk i ka regjistruar zgjedhjet e zhvilluara muajin e shkuar për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, pas apelimit të bërë nga kandidati tjetër për president, Bashkim Fino. Pasi u zgjodh presidenti i ri, Armand Duka dhe 9 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, vendimi i Asamblesë Zgjedhore u dërgua në Gjykatën e Tiranës për regjistrim, por aty janë ndalur nga Gjykata, raporton “vipsport.al”.

Tashmë nuk është e qartë çfarë do të ndodhë me futbollin shqiptar, sepse praktikisht mungon qeveria legjitime e futbollit dhe ndoshta do të duhet sërish ndërhyrja e UEFA-s dhe FIFA-s për të na dhënë “dum”, si zakonisht, sepse jemi një vend dhe një popull që kemi si specialitet katransosjen e gjërave.

Edhe kandidati për president federate, Bashkim Fino, ka reaguar me një postim në faqen e vet në Facebook:

REAGIM

Pasi konstatova dhe denoncova publikisht paligjshmërinë e funksionimit të FSHF-së, mënyrën se si i manipuluan zgjedhjet, duke futur persona të paautorizuar dhe shoqata të paregjistruara, bashkë me stafin tim, vendosëm të ndjekim rrugën ligjore. Kisha besim te drejtësia dhe ajo u shpreh sot, duke mos e regjistruar Asamblenë Zgjedhore të datës 7.02.2018.

Përshëndes shpresën që dha sot drejtësia, që çdo manipulim, nuk do ketë sukses para ligjit. Ky ishte një mesazh për të gjithë viktimat e këtij sistemi, që Armand Duka nuk ka për të pasur më sukses me metoda të paligjshme.

Procesi vazhdon edhe në KAS-in shqiptar dhe sidomos në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

Për një futboll të pastër dhe të drejtë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *