“Futbolli është jeta, po të mos ishte për tim atë…”

Te Lacio ka zhvilluar një sezon si protagonist, duke dhënë kontributin në shumë raste dhe duke mbrojtur portën nga gola të sigurt, që janë të barazvlefshme me gola të shënuar, nëse merren në fund pikët, edhe pse nuk mjaftuan për të shkuar në Champions. Megjithatë, Strakosha është vetëm 21 vjeç dhe ka të ardhmen përpara. Për momentin, ajo është bardhekaltër, por më vonë nuk i dihet. Vlera e kartonit ka shkuar deri tani 20 mln euro dhe statistikat flasin për një rritje të jashtëzakonshme, madje më mirë edhe se Donaruma sivjet. Në një intervistë për “RTSH Sport”, për gazetaren Hygerta Sako të emisionit “Rubrika Sportive”, Thomasi ka rrëfyer gjithçka, duke prekur klubin e tij, të shkuarën, familjen, por edhe kombëtaren dhe objektivat, me një objektiv: “të bëhem portieri më i mirë në botë!”.

Momenti më i veçantë me Lacion këtë sezon që sapo u mbyll?
Pritja e penalltisë së Dibalës, pasi ishte minuta e 96-të dhe i dhashë fitoren skuadrës. Ka edhe momente të tjera sigurisht, por edhe momente më pak të mira, pasi kam gabuar dhe është normale. Nga gabimet mëson shumë dhe uroj që të bëj sa më pak në të ardhmen.
Panuçi ka një hall të madh, pasi ka dy portierë të mëdhenj te Shqipëria. Ku ndryshon me “Titin”?
Ndryshojmë vetëm nga mosha. Ai është më i madh se unë. Pastaj, jemi njësoj. Jemi miq dhe kombëtarja për ne është diçka e bukur. Nuk e mendojmë se kush luan ose jo. Jemi grup i mirë dhe shkojmë mirë të gjithë.
Liga e Kombeve e sheh Shqipërinë përballë Skocisë dhe Izraelin. Si e sheh?
Kemi shanse si ata. Duhet të krijojmë grupin e fortë, të jemi bashkë dhe njohim njëri-tjetrin, por edhe shumë të rinj që po vijnë. Kemi kombëtare të fortë dhe shpresoj të tregojmë vlerat.
Krahasimi mes De Biazit dhe Panuçit?
De Biazi ka bërë historinë e tij me kombëtaren shqiptare. Ne Europianin e parë që zhvilluam, e kemi bërë me De Biazin. Gjithashtu ky trajner besoi në debutimin tim dhe e falënderoj. Tashmë Panuçi e ka edhe më të vështirë objektivin, pasi kanë ardhur shumë lojtarë të rinjë dhe mund të them se e nisim nga 0. E kam parë shumë pak Panuçin deri në këtë moment, por lojtarët duhet të sillen si ushtarë me të. Me De Biazin e kishim më të lehtë kur stërviteshim.
A do të ishe bërë portier nëse nuk do të kishe baba Foto Strakoshën?
Pyetje e vështirë. Ai më ka pëlqyer që i vogël, prandaj zgjodha të bëhesha portier edhe unë. Nëse nuk do të ishte babi, mund të luaja sulmues, por normalisht që do të isha pjesë e futbollit, sepse për mua është vetë jeta. Nuk mundem pa futbollin.

https://www.facebook.com/356896164486027/videos/1013643922144578/

Familja, sa të ka mbështetur dhe ndihmuar?
Familja më ka mbështetur gjithmonë dhe më ka mësuar që asnjëherë të mos pres nga të tjerët, por të arrijë gjithçka në saj të vetes sime.
Mbiemri që mban dhe krahasimi me babain ju ndjekin…
Gjithmonë më kanë shoqëruar komentet se jam këtu vetëm falë Foto Strakoshës, por nuk më shqetësojnë këto reagime, sepse e di që do i kem gjithë jetën time.

Përpara se të shkoje te Lacio, ishe pranë Romës. Çfarë ndodhi?
E vërteta është se mund të shkoja edhe te Roma, por shyqyr Zotit që erdha te Lacio. Sigurisht që ka ndikuar edhe drejtori sportiv, Igli Tare, që me personalitetin e tij ndikon edhe në anën psikologjike të skuadrës, pasi ka një plan për të gjithë afrimet që ai bën.
Gjashtë vite te Lacio. Sa e vështirë ishte?
Normal që viti i parë, kur vjen në moshën 17 vjeç në këtë realitet, e ke të vështirë. Kisha familjen si mbështetje. Por, ëndrra ime është të bëhem portier i madh, ndaj stërvitem çdo dit. Fillimi ishte i vështirë, për shkak të gjuhës. Nuk e kam kuptuar si kam kaluar këto gjashtë vite, kanë ikur shpejt.

Aventura te Salernitana…
Më ka bërë shumë mirë nga ana e karakterit, sepse ishte eksperienca e parë në një ekip profesionist.
Konkurrenca me Marketin dhe vendi i titullarit…
Momenti i vështirë, por mund të them se është edhe një gjë e bukur njëkohësisht. Me konkurrencë mund të rritesh. Ngadalë erdhën gjërat dhe shyqyr tani jam mirë dhe vazhdoj përpara.
Kush krenohet më shumë me ty, Tare apo babai Foto?
Me mua krenohet më tepër mami, pasi babi është i rreptë. Normale dhe drejtori (Tare), sepse kishte besim më shumë se të gjithë.
Në merkato disa klube të duan. Komenti yt?
Nuk e mendoj shumë, të them të drejtën. Kam 6 vite në Romë dhe më pëlqen shumë si qytet. Pastaj, e kam afër Shqipërinë. Pastaj, edhe koha është e mirë. Më vjen mirë kur flitet për mua në merkato, por jam mirë te Lacio.
Nëse do të zgjidhje një kampionat, cilin do të preferoje?
Më pëlqen futbolli spanjoll pasi është taktik dhe i shpejtë. Por edhe për mënyrën e jetesës, pasi edhe koha atje është e mirë, jo e ftohtë si në Angli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *