FSHF Cup, kompeticioni i futbollit amator 9×9 që organizohet nga Departamenti i Futbollit Amator në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mësuar përballjet për fazën çerekfinale të këtij edicioni të dytë.
Shorti i hedhur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” nga specialistë të këtij departamenti përcaktoi sfidat çerekfinale që do të luhen në janar.
Deri më tani janë përcaktuar gjashtë nga tetë ekipet çerekfinaliste që janë Vila L, Jata Market, FC Dussel, Homeland, Futura Dent, Prestige, ndërsa do të përcaktohen në ditët në vijim edhe dy skuadrat e tjera që do të dalin nga përballjet mes ATS – Oktapus dhe Digi Print – Primo.
Sipas shortit të hedhur, FC Dussel që fitoi thellë me shifrat 5-0 ndaj Elsos do të përballet në këtë fazë me Vila L, që kaloi në këtë fazë pasi fitoi nga 11-metërshat ndaj Forza 1.
Ndërkaq, Jata Market do të luajë kundër ekipit të Prestige, që u kualifikua pas fitores 1-0 që mori ndaj Novës.
Homeland Triumph do të luajë në fazën çerekfinale me fituesin e çiftit ATS – Oktapus, ndërsa Futura Dent do të ketë përballë fituesin që do të dalë nga sfida Digi Pring – Primo.
Ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen në datat 25, 26, 27 dhe 28 janar.