Në prag të festave të fundvitit, vjen një lajm shumë i mirë për tifozët e Skënderbeut. Nuk bëhet fjalë për ndonjë blerje të bujshme në merkato nga presidenti i ekipit, Ardjan Takaj, por për stadiumin e qytetit, që në vitin 2018 do të jetë i ri. Një lajm që në fakt pritej prej kohësh, pasi Skënderbeu meriton një stadium më të madh dhe natyrisht më modern, pasi luan rregullisht në Kupat e Europës dhe nuk ka pse të shkojë në Elbasan për shumë ndeshje të rëndësishme, siç bëri deri pak kohë më parë.
KËSHILLI BASHKIAK – Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Korçës, kryebashkiaku Sotiraq Filo ka pohuar para të gjithë anëtarëve se në vitin 2018 do të bëhet edhe rikonstruksioni i plotë i stadiumit të qytetit. Sipas kreut të Bashkisë së Korçës, Qeveria Shqiptare është gati të lëvrojë fondin e nevojshëm vitin e ardhshëm për realizimin e projektit të stadiumit.
Leonard Trebicka