“Fut ujë nga të gjitha anët”, Dabulla komenton Tiranën: Ishin katastrofë! E kam thënë, do vuajë largimin e Dedes

Tirana vijon të notojë në ujëra të turbullta këtë sezon, teksa ditën e sotme ka marrë një tjetër humbje. Teuta fitoi në “Selman Stërmasi” me rezultatin 1-0, duke bërë që bardheblutë ta ndjejnë veten gjithnjë e më shumë në vështirësi. Në një intervistë për “Sport Magazine” në “Ora News”, të moderuar nga Drilon Xhepollari, Rezart Dabulla komenton gjendjen e ish-ekipit të tij.

Sipas Dabullës, ky rezultat pritej nga Tirana, e cila vuan largimin e trajnerit Dede. Gjithashtu një mendim ka dhënë edhe për talentin Ernest Muçi, që duket pranë kalimit në Poloni. Për ish-futbollistin bardheblu, 19-vjeçari është ende i ri për të tërhequr ekipin drejt titullit kampion, pavarësisht talentit që ai ka.

“Më vjen keq që Tirana u mund edhe këtë ndeshje, por ishte një rezultat i pritshëm. Ka disa javë që Tirana qarkullon në ujëra jo të mirë. Këto dy ndeshjet e fundit, kur është përballur me kundërshtarë të fortë e ka treguar që fut ujë nga të gjitha anët. Që kur u largua Nevil inga drejtimi i ekipit, në atë mënyrë që u largua e cila për mua ishte shumë e shëmtuar, të nesërmen kur më kanë pyetur kam deklaruar që Tirana do e vuajë këtë  largim të trajnerit. Për fat të keq rezultatet e ekipit më kanë dhënë të drejtë. Sot ishte katastrofë, gjuajtja e parë në portë erdhi në minutën e 70.

Muçi është shumë i ri dhe nuk e ka eksperiencën e duhur që ti varim të gjithë këmborën dhe të tërheqi Tiranën e ta nxjerri kampion. Sigurisht është një lojtar i talentuar dhe mendoj se ka një të ardhme të sigurt. Por është akoma shumë i vogël për ta nxjerrë Tiranën atje ku do ajo, të dali kampion. Nuk mund ti kërkosh dot diçka një lojtari që nuk i ka mundësitë për ta bërë atë punë”, ka deklaruar Rezart Dabulla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *