Fulvio Pea është Drejtori i ri Teknik i Federatës Shqiptare të Futbollit! Italiani i mirënjohur në botën e futbollit është prezantuar në këtë post dhe ka nisur menjëherë nga puna. Pea është një emër i njohur me një eksperiencë të madhe në punën me futbollin e moshave në shumë klube të mëdha italiane dhe të huaja, teksa ka punuar për një kohë të gjatë edhe në sektorin teknik dhe ka një përvojë goxha të pasur.
Pas prezantimit me stafin dhe të gjithë strukturat e Federatës Shqiptare të Futbollit, Fulvio Pea ka dhënë një intervistë për Fshf.org ku ka folur fillimisht për karrierën dhe ka treguar rrugëtimin e tij në botën e futbolli, veçanërisht në rolin e trajnerit dhe përgjegjësit të sektorit teknik.
“Si futbollist unë jam tërhequr shpejt nga futbolli i luajtur, sepse e kuptova që nuk do të kisha shumë të ardhme dhe nuk do të arrija të realizoja dot ëndrrën time, por nuk e braktisa futbollin dhe vazhdova të ëndërroj, duke ndryshuar rol. Që është një karakteristikë që vazhdova ta ruaj gjatë karrierës time. Kështu u bëra trajner me ekipe fëmijësh 9-vjeçarë, eksperiencë shumë e bukur sepse nga pikëpamja teknike morëm vetëm një pikë, por fëmijët nga 9 u bënë 36, pra u rritëm shumë.
Nga aty nisi pasioni për rolin e trajnerit. Pata fatin të punoja me klube dhe profesionistë shumë ambiciozë dhe e gjitha kjo më çoi në vitin 1998 në nivel profesionist për të punuar në sektorin e të rinjve të Interit, ku përveçse isha trajner, bëja edhe rolin e drejtorit të konviktit. Nga aty nisi një rrugëtim si trajner profesionist që më dha mundësinë të punoja në Bullgari si drejtor teknik në sektorin e të rinjve dhe ku më pas u njoha me Xhixhi Simonin, i cili ishte njeriu që më përfshiu në futbollin e të mëdhenjve, sepse u bëra pjesë e stafit të tij dhe më pas ai si drejtor i përgjithshëm dhe teknik, ndërsa unë si trajner punuam për dy vite së bashku”, – thotë Fulvio Pea, duke shpjeguar edhe mënyrën si u përfshi në sektorin teknik dhe dëshirën e vazhdueshme për të provuar sfida të reja.
Më tej, italiani tregon edhe lidhjet me Shqipërinë dhe si vendosi të bëhej pjesë e projektit të FSHF-së, teksa vlerëson zhvillimet e futbollit shqiptar dhe punën e bërë deri më sot në këtë drejtim.
“Unë besoj se gjithçka nisi disa vite më parë, kur bëra një projekt për ekipet kombëtare, edhe këtu për rastësi gjatë kohës së lirë dhe nisa të vëzhgoja kombëtaret që ndodheshin afër Italisë, pra atë malteze, shqiptare e me radhë. Më tërhiqte shumë ajo që po ndodhte në Shqipëri, këtë Federatë që rritje gjithnjë e më shumë, me futbollistë të aftë e të fortë, kështu që kam vëzhguar nga jashtë atë që ndodhte në këtë vend. Unë mendoj se ky vend është që prodhon shumë lojtarë interesantë dhe jam dakord me dëshirën e Presidentit Duka, i cili synon të përmirësojë në aspektin cilësor të gjitha zhvillimet e derisotme. Unë do të takohem me përgjegjësit e të gjitha sektorëve që përfshihen në Drejtorinë Teknike për të kuptuar punën që kanë bërë deri më tani dhe të marr mendimet e tyre për planet që kanë në të ardhmen. Ajo që mund të sjell këtu është eksperienca ime. Jam ende i ri, 56 vjeç, jam shumë aktiv dhe plot më entuziazëm dhe mund të sjellë eksperiencën time në këto projekte për të përmirësuar akoma atë që është cilësia e të rinjve mbi të gjitha, pra për futbollin e të ardhmes”, – vijoi Pea.