Futbolli nuk duket të jetë në planet e qeverisë shqiptare, pavarësisht këmbënguljes së Federatës Shqiptare të Futbollit. Këta të fundit kanë bërë vazhdimisht thirrje për institucionet përkatëse shtetërore që të jepet drita jeshile për rifillimin e kampionatit, madje kanë dorëzuar edhe planin së bashku me protokollet që do të zbatohen me përpikmëri prej klubeve dhe fubtollistëve.
Në mungesë të një përgjigje zyrtare nga ana e qeverisë së Republikës së Shqipërisë, FSHF vendos të paraqesë sërish kërkesën e saj. Këtë herë shprehin edhe gatishmërinë që të ngrihet një grup pune i përbashëkt mes Federatës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit dhe Sporteve, në mënyrë që të zbatojnë protokollin e propozuar prej tyre.
Ky i fundit është ndërtuar në bazë të konsultimeve me UEFA-n, FIFA-n dhe Federatat e tjera homologe. Në këtë mënyrë, FSHF-ja shpreh sërish dëshirën e saj për bashkëpunim me qeverinë shqiptare me anë të kësaj shkrese zyrtare për të mbajtur futbollin në rrugën e duhur e për ta çuar deri në fund sezonin e lënë përgjysmë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/