Ka përfunduar rikonstruksioni i fushës me bar natyral në Kompleksin Sportiv “Shefqet Lamçja” në Elbasan, një investim i Federatës Shqiptare të Futbollit që i shton futbollit shqiptar një tjetër terren modern dhe cilësor, të ndërtuar sipas standardeve të FIFA-s.
Projekti ka përfshirë ndërhyrje të plota në infrastrukturën e fushës, duke nisur nga ndërtimi i bazamentit dhe sistemi modern i drenazhimit, deri te depozita e ujit dhe sistemi i vaditjes. Në fazën përmbyllëse është realizuar mbjellja e barit natyral, duke i dhënë kompleksit një terren të ri të përshtatshëm për zhvillimin e aktiviteteve të nivelit të lartë.
Fusha e rikonstruktuar do të ketë një rol të rëndësishëm edhe në organizimin e Kampionatit Europian U-21, Shqipëri 2027. Ajo do të jetë një prej terreneve që do të përdoren nga ekipet pjesëmarrëse gjatë zhvillimit të turneut, duke kontribuar në krijimin e kushteve sa më të mira për skuadrat europiane që do të marrin pjesë në këtë kompeticion.
Përveç fushës së futbollit, në Kompleksin Sportiv “Shefqet Lamçja” janë përmirësuar edhe ambientet mbështetëse, përfshirë dhomat e zhveshjes, duke krijuar kushte më moderne dhe funksionale për futbollistët dhe stafet teknike.
Ky investim përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në strategjinë e FSHF-së për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së futbollit në të gjithë vendin. Shtimi i një fushe me bar natyral dhe me standarde FIFA i jep Elbasanit një tjetër hapësirë sportive cilësore, e cila do t’i shërbejë jo vetëm organizimit të aktiviteteve ndërkombëtare, por edhe zhvillimit të futbollit në vijimësi.
Në prag të Euro U-21 2027, investime të tilla marrin një rëndësi të veçantë, duke garantuar që Shqipëria të ketë infrastrukturën e nevojshme për të mirëpritur një prej kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit europian të moshave dhe, njëkohësisht, duke lënë pas një trashëgimi të qëndrueshme për futbollin shqiptar.
Një fushë e re me standarde FIFA, një investim për Euro U-21 2027 dhe një tjetër pasuri infrastrukturore për futbollin shqiptar.