Akuzat para zgjedhjeve për kreun e FSHF-së kanë arritur kulmin dhe tashmë askush nuk e merr vesh ku mbaron e vërteta e ku nisin gënjeshtrat.
Bashkim Fino akuzon FSHF-në dhe Dukën për abuzime fondesh, duke nxjerrë edhe shifra, por FSHF ka nxjerrë dokumentacionin e saj, duke furnizuar të dhënat zyrtare për të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e kryera.
Sot Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku ka dalë para mediave, duke u përgjigjur në lidhje me gjithë akuzat dhe aludimet e përfaqësuesve të Finos dhe vetë deputetit socialist, rival i presidentit aktual të FSHF-së, Armand Duka.
Të nderuar gazetarë!
Jam sot përpara jush për të sqaruar opinionin publik ne lidhje me disa akuza te ngritura nga ana e ndonjë kandidati për President të FSHF-së, apo edhe e ndonjë individi pjese e stafit te tij në lidhje me keqinformimin mediatik mbi financat e FSHF.
Edhe pse jemi në një periudhë të administrimit të procesit zgjedhor, me tagrin e funksionit të Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, si administrator i institucionit në këto vite ndiej detyrimin per te sqaruar opinionin publik dhe anëtarët e FSHF për këto akuza.
Pavarësisht se çdo vit, anëtarët njihen me pasqyrat financiare te FSHF, në Asamblenë e Përgjithshme , por njëherësh edhe me Raportin e Auditorit ndërkombëtar të kontraktuar “DELOITTE ALBANIA”, më poshtë po adresojmë disa të dhëna:
- NË LIDHJE ME AKUZEN PER BUXHETIN E FSHF
Është kategorikisht e pavërtetë dhe një keqinformim shifra prej 24 mln euro në vit e buxhetit të FSHF-së.
Për transparencë të opinionit publik shkurtimisht po ju them që:
- a) Në vitin 2014 Buxheti ka qenë 5.1 mln euro
- b) Në vitin 2015 Buxheti ka qenë 6.8 mln euro
- c) Në vitin 2016 Buxheti ka qenë 7.1 mln euro
- d) Në Vitin 2017 Buxheti ka qenë 8.2 mln euro
- e) Në Vitin 2018 Buxheti është në 7.1 mln euro
(ne shifrat e mësipërme nuk përfshihen te ardhurat nga EURO 2016 si dhe fondet e akorduara nga qeveria shqiptare për rikonstruksionin e dy stadiumeve )
Këto janë shifrat zyrtare të buxheteve vjetore të FSHF-së te miratuara ne Asambletë e Përgjithshme.
- AKUZA PËR DEKLARIMET E RREME NË UEFA
Në lidhje me deklarimet e ndryshme financiare në UEFA, sqarojmë personat në fjalë, por mbi të gjitha opinionin publik që rreth 70% e buxhetit të FSHF-së është e mbuluar nga fondet e FIFA-s dhe UEFA-s, dhe ka monitorim dhe auditim direkt prej tyre. Këto të ardhura auditohen tërësisht nga FIFA dhe UEFA.
Më konkretisht:
Për vitin 2016, fondet e FIFA-s & UEFA-s, ishin 68.5% e buxhetit
Për vitin 2017, fondet e FIFA-s & UEFA-s ishin 70%
Për vitin 2018 këto fonde shkojnë në rreth 72%
Të gjitha hamendësimet e tjera për deklarime të rreme janë thjesht dhe vetëm një keqinformim qe i behet opinionit publik.
- AKUZA PËR SHPENZIMET NË KOMPANINË TURISTIKE VAS TOUR
FSHF disponon në mënyrë të pavarur sistemin e biletarisë ‘Amadeus SELLING platform’. të cilin e përdor për përcaktimin e itinerareve të ndryshme, nëpërmjet të cilit merr çmimin direkt të kompanive ajrore.
Kompania Vas Tour nga ana e saj ekzekuton vetëm finalizimin me nr elektronik te biletës së udhëtimit sipas rezervimit te kryer nga sistemi Amadeus i FSHF-së.
FSHF mbulon biletat e ekipeve kombëtare për ndeshjet zyrtare e miqësore, turnetë zyrtarë e miqësorë, si më poshtë vijon:
- Për ekipin Kombëtar A
- Për ekipin kombëtar U-21
- Për ekipin kombëtar U-19
- Për ekipin kombëtar U-17
- Për ekipin kombëtar U-15
- Për ekipin kombëtar A të femrave
- Për ekipin kombëtar U-19 të femrave
- Për ekipin kombëtar të futsal
dhe se fundmi edhe për ekipet kombëtare U-16, U-18 dhe U-20.
Të gjitha shpenzimet e udhëtimit për të gjithë lojtarët dhe stafet e këtyre ekipeve kombëtare mbulohen nga FSHF.
Është deklaruar ne media, qe FSHF i ka paguar kësaj kompanie 1 mln EURO vetëm në vitin 2016. Po ju sqaroj që, në vitin 2016, duke marrë parasysh edhe pjesëmarrjen ne Kampionatin Europian dhe shpenzimeve të nevojshme, FSHF ka paguar në total shumën prej 715.000 EURO, ku rreth 60% e kësaj shume ka shkuar për organizimin dhe akomodimin në EURO 2016.
AKUZA mbi 54 MLN EURO te paguara për Kompaninë PLUS
Kjo është një tjetër farsë mediatike, pasi shuma totale e paguar ne vitin 2017 për kompaninë PLUS është 3.8 mln lekë/të reja për shpenzimet telefonike te administratës se FSHF.
AKUZA NË LIDHJE ME PAGESAT PER KOMPANINE TOP-AL
Pagesa në shifrën prej 270,000 euro për kompaninë TOP-AL, ka mbuluar të gjitha aksesoret e mobilimit për stadiumin “Loro Borici” në Shkodër, me një volum pune të jashtëzakonshëm shoqëruar me pasqyrat përkatëse të punës.
Kjo kompani është kontraktuar sipas te gjitha rregullave dhe proceduarave financiare që operon FSHF.