Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n do të organizojnë projektin “Elite Youth Development Academy”. Ky projekt do të vihet për herë të parë në zbatim në vendin tonë gjatë muajit shtator sipas një programi të koordinuar në detaje nga UEFA e që do të udhëhiqet nga FSHF.
Qëllim kryesor është edukimi dhe trajnimi i talenteve të datëlindjeve 2010 dhe 2011, jo vetëm në kontekstin sportiv por edhe në atë edukativ dhe personal. “Elite Youth Development Academy” do të zbatohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe i gjithë programi do të zgjasë për 4 sezone, nga muaji shtator 2024 deri në qershor 2028.
Në këtë projekt do të përfshihen në total 37 lojtarë të grupmoshave U-14 dhe U-15. Stafi teknik që do të jetë i dedikuar për projektin “Elite Youth Development Academy” do të jetë i përbërë nga dy trajnerë dhe asistentë, përgatitës atletik, trajner portierësh, video-analist, fizioterapist dhe kujdestar.
Bëhet fjalë për një program mjaft të rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen e talenteve më të spikatur brenda vendit, ku synimi kryesor është ngritja e nivelit në aspektin cilësor dhe konkurrues.