Derbi numër 156 mes dy rivalëve më të urryer të Beogradit, Partiza dhe Crvena Zvezda, ka shpërthyer! Jo në fushë, sepse aty, ashtu si shumë herë të tjera, ndeshja u mbyll në barazim 1-1, por në tribuna, aty ku ligjin e bëjnë tifozeritë…
Një grindje masive ka ndodhur në sektorin ku ishin vendosur tifozët vendas, ata të quajtur Grobari. Sipas komentatorëve televizivë, versioni i parë që doli ishte se brenda këtij sektori ishin futur të kamufluar disa tifozë të Crvena Zvezdës (Delije), por më vonë disa tifozë serbë do të hidhnin poshtë këtë hamendësim. Ende nuk dihet shkaku dhe historia, apo zanafilla e kësaj grindje masive, pra nëse ishte një sherr brenda një grupimi tifozësh apo me ata rivalë…
Megjithatë, një grup fansash u rrahën dhe gjakosën nga tifozët e Grobarit, duke u djegur edhe me materiale piroteknike, si flakadanë.
U desh ndërhyrja e forcave policore për të ndalur këtë masakër dhe pas disa minutash përleshje edhe me tifozerinë, policia arriti të shpëtonte tifozët e plagosur, duke i çuar në një vend më të sigurt, teksa tifozët kundërshtarë vazhdonin ti hidhnin sende. Sipas raportimit, më shumë se 20 fansa u plagosën dhe një prej tyre është në gjendje të rëndë në spital. Edhe 4 policë në listën “e zezë”.
Ndeshja u ndërpre për pak kohë, më pas nisi si rregullisht. Delije (fansat e Zvezdës), gjithashtu, shfaqën një spektakël piroteknike fantastik.
Sakaq, pikërisht tre ditë më parë, i ftuar te “Proçesi Sportiv”, drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, do të fliste për dhunën në stadiumet shqiptare dhe sidomos tifozeritë dhe fyerjet, por kushedi si do të jetë ndjerë kur përkrah presidentit të klubit të kuq, Gaz Demi, ka ndjekur mbrëmë derbin e Beogradit dhe ku dhuna ka qenë kryefjala kryesore…