Formacioni i Shqipërisë/ Nga fantazia e Bajramit te grinta e Uzunit, Edi Reja hap kartat e reja përballë Hungarisë

Shqipëria zbret sot në orën 18:00 në fushën e “Elbasan Arena”, ku do të përpiqet të harrojë sa më parë atë humbje 4-1 kundër Polonisë. Përballë tyre do të vendoset një tjetër kundërshtar i drejtpërdrejtë për kuqezinjtë, prandja fitorja shihet si i vetmi rezultat për të besuarit e Rejas.

Trajneri italian ka pasur pak kohë në dispozicion për të reflektuar gabimet e bëra në Varshavë, nga ku përpos 3 pikëve humbi edhe 3 titullarë të rëndësishëm. Manaj, Hysaj dhe Bare nuk do të jenë në dispozicion të Rejas sot, prandaj këtij të fundit i duhet të bëjë ndryshime në 11-shen fillestare, ku edhe do të hapë kartat e reja kundër Hungarisë. Porta dhe mbrojtja nuk do të preket dhe do të mbetet “made in Serie A”, teksa Berisha do të jetë mes shtyllave, ndërsa përpara tij muri do të përbehet nga Gjimshit, Ismajli dhe Kumbulla. Mesfusha është ajo që pritet të ketë fytyra të reja.

Ndaj Hungarisë do të jetë edhe debutimi i shumëpritur i Nedim Bajramit, i cili mund të luaj pak më i avancuar në repartin e mesfushës për të qenë më pranë dyshes së sulmit, së cilës do i vijë në ndihmë me fantazinë e tij. Në qendër me shumë ngjasa do të jenë të përhershmit Gjasula dhe Abrashi, ndërsa krahët këtë herë do të plotësohen nga Trashi dhe Doka. I vetmi balotazh mund të jetë për këtë të fundit, që ka edhe konkurencën e Odise Roshit.

Sa i përket sulmit, mungesa e Rei Manajt i hap rrugën Myrto Uzunit, një futbollist që e njeh mjaft mirë futbollin hungarez, teksa sezonin e shkuar është shpallur kampion me Ferencvaroshin. Grinta dhe dëshira nuk i mungon talentit beratas, që ka mundësinë ti tregojë Rejas sa ka gabuar që e ka lënë në stol. Përkrahë tij do të jetë njeriu gol i Kombëtares, Sokol Cikalleshi. Lojtari kavajas po gëzon një formë fantastike, pasi nuk i ka munguar nuhatja e golit në ndeshjet e fundit si me kuqezinjtë, ashtu edhe me Koniasporin./Sport Ekspres/

Berisha, Gjimshiti, Ismajli, Kumbulla, Doka, Abrashi, Gjasula, Bajrami, Trashi, Uzuni, Cikalleshi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *