Java e nëntë e Kategorisë Superiore është mbyllur për t’i dhënë fund kështu edhe fazës së parë në elitën e futbollit shqiptar. “Sport Ekspres” publikon formacionin e javës në bazë të analizës që ka bërë Oltijon Kërnaja, atje ku nuk mund të mungonte lideri i Tiranës në këto ndeshje të fundit, Batha.
Mesfushori po merr përsipër gjithë përgjegjësinë te bardheblutë për të bërë edhe detyrën e sulmuesve. Ndërkohë nuk mund të lihet pa përmendur edhe xhevahiri i radhës që po nxjerr Skënderbeu, Mara, me korçarët që gjithmonë dinë të prodhojnë pavarësisht vështirësive ku ndodhen.
Formacioni i javës . Me rreshtimin 4-3-3
Isli Hidi- Mosha për portierin e Kastriotit është vetëm numër pasi në fushë ishte më i miri kundër Kukësit. Bën shumë pritje decisive.
Todorovski- Mbrojtësi i djathtë i Teutës ishte ndër më të mirët, u pa shumë herë duke marrë fundoren.
Ignjatovic– Pak vështirësi hasi në rreshtimin me tre mbrojtës. Por kundër Vllaznisë nuk humbi asnjë dyluftim, ishte siguri.
Qaqi- Nëse sulmuesit i Skënderbeut do të ishin më të saktë përpara portës së Tiranës do të dilnin me tre pikë. Qaqi neutralizoi të gjithë repartin sulmuesit të Tiranës. Sasraku dhe Muci nuk kishin asnjë mundësi përvec tentativave nga larg.
Ndreca- Në cdo ndeshje po tregon personalitet dhe ritëm të lartë. Asnjë rrezik nuk i vinte Bylisit nga krahu i tij. I shpejt dhe me të majtën e rrezikshme.
Batha- Nga java në javë po nxjerrë Tiranën nga situatat e vështirë duke treguar se është lider, megjithëse ekipi nuk është në lartësinë e tij. Tre gola në tre javët e fundit dhe dy prej të cilëve i kanë dhënë katër pikë Tiranës. Për rikujtesë, është mesfushor!
Lushkja- Krijoi shumë në ndeshjen kundër Vllaznisë. Harmon doli tre herë përballë portierit. Në të treja rastet ishte Lushkja që dha pasën e fundit.
Rrapa– Vetëm 19-vjeç, por ndaj Tiranës tregoi personalitet dhe guxim. Mori shumë përsipër, goditi portën dhe dy raste dhuroi mundësinë për të realizuar Mensah. Mëkat që nuk i finalizoi. Talent që po vëzhgohet.
Mara- Vazhdon me paraqitjet e mira duke shënuar një tjetër gol model në aksion. Xhevahiri i radhës që nxjerr Skënderbeu.
Xhixha- Një gol që kërkon talent të madh dhe personalitet për ta realizuar, me një goditje fenomenale të mirëmenduar. Tre pikë që e fusin Lacin në garën e titullit kampion.
Lorenzo Vila- Përsëri ai! Po i njëjti që zhbllokon një ndeshje të tensionuar për rastet flagrante që humbën sulmuesin e Teutës. Gol që solli qetësinë te Teuta!