Formacionet e mundshme/ Teuta pa Alhasan, Skënderbeu pa Muzakën

Skuadra durrsake nuk ka çfarë të humbasë dhe sot do të japë gjithçka në fushë për të marrë tri pikët, që do ta mbanin në garën e qëndrimit në elitë

Tashmë gabimet janë të ndaluara, edhe kur luhet ndaj ekipit që kryeson bindshëm Superioren. Ndeshja e sotme me Skënderbeun është jetike për Teutën, që duhet të rikuperojë diferencën e 4 pikëve me Vllazninë rivale në 12 javët e mbetura të kampionatit, duke nisur nga kjo e sotmja me korçarët. Është një nga ato ndeshje, që konsiderohen për “jetë a vdekje” dhe “Djemtë e detit” nuk do të kursejnë asgjë, sepse edhe barazimi nuk u bën punë. Trajneri Gentian Begeja dhe stafi i tij janë munduar ta përgatisin ekipin edhe nga ana psikologjike për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës. Fitorja është e domosdoshme për Teutën dhe për ta arritur këtë objektiv futbollistët e saj duhet të jenë sa më të qetë.

GJENDJA – Teuta ka mbyllur dje përgatitjet dhe mungesa e vetme për ndeshjen e sotme është ajo e Alhasanit, i ndëshkuar me karton të kuq në Kukës dhe i dënuar me dy javë pezullim nga Komisioni i Disiplinës. Janë rikuperuar Hërkaç dhe Mustafov, ndërkohë që shkodrani Hakaj kthehet nga skualifikimi, kështu që trajneri Begeja ka më shumë alternativa për të përballuar një kundërshtar të fortë si Skënderbeu. Së pari, durrsakët duhet të mbrohen mirë, por për të fituar duhet edhe të shënojnë, kështu që loja e Teutës do të ketë theks sulmues në këtë 90-minutësh shumë të rëndësishëm.

Muzaka nuk ia del, 3 lojtarë për 2 vende

Midis Osmanit, Nimagës dhe Ditës, trajneri Ilir Daja do të zgjedhë dy lojtarët që do t’i bashkohen Lilajt në mesfushë

Skënderbeu ka mbyllur dje përgatitjet anti-Teuta me një seancë të fundit në Durrës. Por edhe pas kësaj seance, si rrallëherë, trajneri Ilir Daja nuk ka vendosur 100% për formacionin. Kjo ndodh për vetë faktin se në mesfushës janë lojtarë, mes të cilëve do të zgjedhë dy. Gjergji Muzaka, pas seancës së fundit stërvitore, nuk ia ka dalë të rikuperohet në kohë, kështu që sot do të mungojë dhe do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna. Në mungesë të Muzakës, alternativat janë disa dhe stafi teknik pritet të vendosë përfundimisht para ndeshjes. Tre futbollistë, Tefik Osmani, Bakari Nimaga dhe Bruno Dita, luajnë për dy vende në formacionin e Skënderbeut, ku Sabjen Lilaj është i sigurt.

Prapavija është e bërë, me Shehin në portë dhe përpara tij katërshja e mbrojtjes është me Vangjelin dhe Mici në krahë, ndërsa Radas dhe Aliti luajnë në qendër. Në mesfushë, Osmani pritet të luajë përpara mbrojtjes, ndërsa Nimaga dhe Lilaj mund të jenë dyshja tjetër që plotëson mesfushën, por edhe Dita është kandidat për një vend. Për këtë repart do të vendoset përfundimisht sot. Në sulm, Gavazaj dhe Xhejms luajnë nga krahët dhe së bashku me Ali Souenë do të përbëjnë treshen ofensive.  

Formacioni i mundshëm i Teutës

Moçka – Gjiergjievski, Shkalla, A.Bilali, Hakaj – Hërkaç – Çyrbja, Beqja, Dediç, Hila – Latif

Formacioni i mundshëm i Skënderbeut

Shehi – Vangjeli  Radas Aliti    Mici – Osmani – Nimaga, Lilaj (Dita) – Gavazaj, Xhejms – Soue

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *