Julen Lopetegui le drejtimin e Spanjës pikërisht në prag të startit të kompeticionit me të rëndësishëm në futboll dhe është një goditje e rëndë që i jep futbollit spanjoll Real Madridi.
Kampionët e Europës njoftuan dje firmën me Lopeteguin, në momentin më delikat të mundshëm, sepse fare mirë mund ta zyrtarizonin gjithçka pas Botërorit.
Jo vetëm kaq, por Lopetegui ishte nën kontratë deri në 2020 dhe firma me Realin u bë pa asnjë njoftim për Federatën spanjolle, që mori vesh gjithçka pak minuta para njoftimit të Realit në faqen e vet zyrtare.
Ka paguar Lopetegui, por skandalin e ka shkaktuar Reali, që bëri gjithçka publike, ndërsa e njoftoi Federatën spanjolle veten pak minuta para zyrtarizimit të Lopeteguit, ndaj presidenti i Federatës Spanjolle Rubiales ka sulmuar hapur klubin madrilen: “Nuk kam ndërmend t’i jap këshilla Realit si bëhen këto punë, por Lopetegui nuk dëshironte që të bëhej kështu, me një telefonatë pak minuta para njoftimit për firmën me Realin. Spanja është ekipi i gjithë spanjollëve, duhej pak më shumë respekt. Nëse dikush kërkon të nisë një bisedë me një anëtar të Federatës Spanjolle, duhet të bisedojë edhe me Federatën. Ne nuk mund të qëndrojmë të mënjanuar kur një punonjës i yni largohet dhe njoftohemi 5 minuta para zyrtarizimit me një telefonatë”.