Vlonjatët duken të dashuruar me tregun maqedonas. Tani ia kanë vënë syrin 30-vjeçarit që luan në qendër dhe mund të jetë 10-a që po kërkojnë prej kohësh
Elton Nika
Flamurtari duket i fiksuar me Maqedoninë, ku po kërkon sërish lojtarë për të përforcuar skuadrën e sezonit të ardhshëm. Konkretisht, drejtuesit e klubit vlonjat kanë në planet e tyre mesfushorin e Shkëndijës së Tetovës, Armend Alimin. Gjasat janë që ai të bashkohet me kuqezinjtë, por ende nuk mund të flasim për një marrëveshje zyrtare. Vitin e kaluar te Flamurtari erdhën disa lojtarë nga kampionatin maqedonas, kjo edhe për faktin se ish-trajneri i vlonjatëve, Shpëtim Duro, e njeh mjaft mirë kampionatin fqinj, ku ka punuar më parë. Ai ka drejtuar Shkëndijën e Tetovës dhe gjatë merkatos së verës afroi lojtarë si Useini, Siljanovski, Zhufo dhe Pollozhani. Ky i fundit i njohur në kampionatin tonë, ku ka luajtur me Apoloninë dhe Dinamon. Kurse në merkaton e dimrit u afruar të tjerë lojtarë të njohur në kampionatin maqedonas si Muarem, Nedeljkoviç dhe Zuka.
KUSH ËSHTË ALIMI – Prej vitit 2014, mesfushori Armend Alimi, i cili është 30 vjeç, është pjesë e skuadrës nga Tetova dhe vlonjatët e cilësojnë një lojtar me vlera, duke marrë në konsideratë edhe përvojën e tij. Luan në qendër të mesfushës, madje ka karakteristika ofensive dhe duket lojtari i duhur për Flamurtarin, 10-a që drejtuesit e tij kanë kërkuar edhe sezonin e që shkoi. Sezonin e fundit ka luajtur 33 ndeshje me Shkëndijën dhe ka shënuar 7 gola. Gjatë karrierës së tij, përveç kampionatit maqedonas, ka luajtur edhe në Kroaci me Istran, në Suedi me Orebron dhe në Qipro me Nea Selaminis dhe Ermis. Që nga viti 2014 është pjesë e Shkëndijës së Tetovës, ku ka shënuar edhe rritjen e tij më të madhe si futbollist. Po ashtu, Alimi ka qenë pjesë e kombëtares U-21 të Maqedonisë dhe më pas edhe e ekipit të parë.
TRATATIVAT – Në klubin kuqezi bëjnë me dije se ka pasur kontakte me lojtarin dhe pritet që në ditët në vazhdim të ketë një marrëveshje, por duhet pranuar se nuk është aspak e lehtë për ta marrë nga Shkëndija. Duket se Alimi është joshur nga oferta e Flamurtarit, por ka marrë kohë për të kthyer një përgjigje përfundimtare, nëse do të jetë apo jo pjesë e tij. Mesfushori ka luajtur 102 takime me Shkëndijën dhe ka realizuar 20 gola me fanellën e saj. Ngjyrat e fanellës që do të veshë mbeten po kuqezi, ndryshon vetëm emri i ekipit, nëse vendos të lëvizë n ga Shkëndija. Te Flamurtari duket se po punojnë për përforcimin e skuadrës, por nuk duan aspak të nxitohen, ashtu si dhe për çështjen e trajnerit. Me shumë mundësi, Alimi do të jetë përforcimi i parë i ekipit vlonjat për këtë sezon. Drejtuesit vlonjatë po studiojnë tregun maqedonas, sepse nga shumica e lojtarëve të ardhur nga ky kampionat janë të kënaqur.