Administrimi i klubit ka qenë një dështim total në aspektin sportiv dhe Sinan Idrizi po mendon një ndryshim rrënjësor në çdo drejtim, nga buxheti te skuadra dhe stafi drejtues
Te Flamurtari ka pllakosur heshtja totale. Edhe ky sezon ishte një dështim total, edhe pse deri në shkurt gjithçka po ecte me ritme të jashtëzakonshme. Me Shpëtim Duron në stol skuadra u bë thuajse nga e para dhe gjithçka po funksiononte, aq sa në ndërrimin e viteve Flamurtari ishte i dyti dhe shihte i qetë nga pjesa e dytë e sezonit, ku synonte të paktën vendin e dytë dhe Kupën e Shqipërisë. Më pas erdhi rrënimi: dëmtime pa fund, gabime nga arbitrat dhe mbi të gjithë një humbje totale besimi, me trajnerin Duro që e humbi kontrollin e skuadrës dhe humbi edhe qetësinë, derisa vendosi të largohej përfundimisht pas eliminimit të hidhur nga kupa, me një humbje të shëmtuar në Vlorë ndaj Skënderbeut, që fitoi duke shëtitur.
Javët e fundit u luajtën kot, për inerci, sepse ishte mësuar me kohë që Flamurtari nuk merrte licencën për të luajtur në Europa League, objektiv që gjithsesi Flamurtari nuk është se e arriti në fushë, ndaj në Vlorë askush nuk ankohet, fundja borxhet e së shkuarës kanë qenë gjithnjë prezente dhe do të jenë një problem edhe në të ardhmen, nëse nuk fshihen 100%.
REVOLUCIONI IDRIZI – Në këtë moment, Flamurtari është në ajër. Kontrata e administrimit të klubit nga kompanitë turke dhe Sinan Idrizi mbyllet në verë dhe duhet parë çfarë do të ndodhë. Idrizi ka kohë që ka dhënë ultimatum për privatizim, por ashtu si vitet e shkuar, mund të kënaqet sërish me administrim, edhe pse është një situatë absurde, ku hidhen poshtë miliona pa fund dhe nuk korret asnjë rezultat, pa harruar që nuk përfitohet asgjë financiarisht.
Kjo do të thotë që Flamurtari aktual është në pikën zero dhe përveç lojtarëve që kanë kontrata, të tjerët janë të lirë, ashtu si gjithë stafi që drejtoi deri në mbyllje të sezonit. Idrizi ka mbetur sërish mjaft i zhgënjyer dhe tashmë ka një plan realisht ambicioz: të marrë administrimin e klubit, të bëjë gjithçka nga e para, me një organizim ndryshe dhe mbi të gjitha duke investuar shumë tek të rinjtë, për të mos shpenzuar më shifra marramendëse. Duke njohur Idrizin, nuk do të mungojnë kurrë emrat cilësorë në ekip, problemi është si të krijohet skuadër e vërtetë dhe e aftë të fitojë e të kënaqë tifozët.