Flamurtari në fushë ndaj Pogonit, Duro provon titullarët

Elton Nika

Flamurtari po përmbyll fazën përgatitore, ndërkohë që klima në skuadrën vlonjate është mjaft pozitive pas dy javësh përgatitje intensive në Turqi. Ekipi i drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro do të luajë sot miqësoren e fundit përballë skuadrës polake të Pogonit (13.00) dhe më pas do të kthehet në Vlorë. Një rast i mirë për të provuar formacionin titullar, ndërkohë që Danilo Alvesh e nis nga stoli.

Trajneri i ekipit vlonjat, Shpëtim Duro, e ka cilësuar mjaft të rëndësishme periudhën e qëndrimit të skuadrës në Antalia. Sipas tij, lojtarët kanë marrë ngarkesë maksimale dhe tashmë vëmendja shkon tek pjesa e dytë e kampionatit. “Kemi arritur që gjatë kësaj periudhe të punojmë me grup të plotë të lojtarëve. E rëndësishme ishte edhe fakti që gjatë kësaj periudhe edhe afrimet që kemi realizuar në merkaton e dimrit i kishim që nga dita e parë e stërvitjes, duke pasur mundësinë të adoptoheshin me lojën e skuadrës . Kur afrimet që kryen në merkato janë pjesë e skuadrës nga dita e parë, kjo ka shumë rëndësi për ekipin. Mbetet edhe më shumë se një javë nga mbyllja e merkatos, por unë e kam thënë se nuk do të ketë lëvizje të tjera, ky është ekipi im. Pra nuk do të ketë afrime të tjera. Me merkaton e mbyllur që në muajin dhjetor, ne kemi rritur konkurrencën në skuadër dhe kjo është mjaft e rëndësishme. Skuadra ime është e plotë dhe unë e thashë që në miqësoren që zhvilluam në Vlorë me skuadrat e moshave se kjo është skuadra jonë. Natyrisht që kemi pasur ndonjë largim, lidhur me faktin se ka pasur kërkesa nga skuadra të tjera dhe për të luajtur më shumë minuta. Kemi edhe ndonjë kërkesë tjetër për lojtarë të skuadrës, por të shohim se si do të veprohet deri në fund. Për afrime, pavarësisht se jemi ende në periudhë merkatoje, nuk ka lëvizje. Pastaj ne kemi një tjetër rikthim të rëndësishëm si mbrojtësi Franc Veliu”, deklaron Duro në “Sport Ekspres”.

Tekniku kryeqytetas komenton pjesën e dytë të sezonit, teksa përsërit se i pret një garë e fortë. “Duhet të kuptohet se në pjesën e dytë të sezonit do të jetë mjaft e vështirë. Ky kampionat, të paktën me atë çfarë tregoi në pjesën e parë të tij, është mjaft i fortë. Mund të humbasësh pikë në fushën tënde dhe të fitosh në transfertë. Ndeshjet kanë qenë mjaft të ekuilibruara dhe shumë të vështira. Ne kemi zhvilluar dy ndeshje miqësore këtu në Antalia dhe do të luajmë edhe një të fundit. Natyrisht kemi përshtatur lojën e skuadrës, por edhe me afrimet e reja në skuadër. Mendoj se sezoni do të vazhdojë të jetë i mirë. Skuadra ka qenë mjaft e fortë, por shpresojmë se kështu do të vijohet edhe në pjesën e dytë të sezonit. Ditët në Antalia na kanë shërbyer shumë dhe janë shumë të rëndësishme për vazhdimësinë. Të shpresojmë se nuk do të ketë më gabime si edhe u pa në fazën e parë”, përfundon Shpëtim Duro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *