Flamurtar, po të keqtrajtojnë, bëj diçka sa mos jetë vonë!

Anton Cicani

Ditë më parë, kryeministri i vendit, Edi Rama, do të bënte një premtim i cili ndezi jo pak zemrat e gjithë tifozëve vlonjatë. Pra, një stadium të ri dhe modern… Sigurisht, nëse fjalët do të materializoheshin në vepra dhe fakte, ky do të ishte një lajm super i bujshëm dhe i gëzueshëm për të gjithë Vlorën, që me futbollin jeton dhe e “përtyp” më shumë se bukën e përditshme. Por, nga dëshirat, projektet, e ardhmja, dikush harron të tashmen. Dikush harron që administratori Idrizi vazhdon të investojë, vazhdon të paguajë borxhe të vjetra dhe vazhdon që të luftojë si Don Kishoti me Mullinjtë e Erës. E ndërsa ai e bën në rrugë institucionale, në fushë, në katërkëndor, ai që po “masakrohet” është ekipi.

Ndoshta është rastësi (kështu duam të besojmë, ndryshe kampionati rrezikon të humbasë kredibilitetin ende pa nisur mirë), por tërbimi i Shpëtim Duros është i ligjshëm në fund të ndeshjes së barazuar në Krujë, përballë Laçit. “Nuk kam ç’të them, kemi pësuar 5 gola këtë sezon dhe 4 janë me 11-metërsh. Na u dha një penallti kundër Bicit sot, ndërsa mbrojtësit e Laçit nuk u ndëshkuan për të njëjtat episode, lojtarët janë me dorë të hapur dhe penalltitë janë neto. Më vjen shumë keq, sepse arbitri ka ndikuar te rezultati dhe nuk është hera e parë”…

E ndërsa trajneri Duro përpiqet të ruajë seriozitetin dhe diplomacinë, ndoshta do të ishte mirë që të niset të kërkohet drejtësia dhe me një zë kumbues. Sepse, nëse shifrat flasin, atëherë këtu do të themi qartë: ky Flamurtar po “keqtrajtohet” nga arbitrat. Katër penallti kundër në 6 javë kampionat dhe thuajse po aq të padhënë në favor në po kaq ndeshje.

E ndërsa dy penallti nuk kanë ndikuar në rezultat, dy të tjera kanë ndikuar dhe shumë madje, duke i hequr 4 pikë skuadrës kuqezi, e cila tashmë do të ishte 13 pikë, pra vetëm 3 më pak se sa kreu i renditjes, Skënderbeu dhe barazim me Kukësin. Pra, i rikthehemi një diskutimi që ka të bëjë me balancën mes episodeve në favor dhe kundër: në këtë rast, në favor nuk ka asgjë!

https://www.facebook.com/FlamurtariFaqjaZyrtare/videos/1692289864179862/

Në Laç, dy episode në favor të paakorduar dhe një penallti që nuk duhet të ishte dhënë, pasi lojtari i Laçit ishte në pozicion të parregullt në momentin e pasimit. Rregullorja është kjo, duan apo nuk duan arbitrat. Ata që, nëse vazhdojë kështu, duhet të paguajnë më pas rrogat e lojtarëve të ekipit vlonjat, sepse këtë herë Idrizi mund të largohet vërtetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *