Monza mori një fitore të veçantë mbrëmjen e sotme. Skuadra nga Brianza mposhti Interin në “San Siro“ me rezultatin 1-0. Një fitore që mbi të gjitha ka gëzuar jashtë mase Adriano Galianin, i cili ka një rivalitet të hershëm me zikaltrit, që në kohën kur ishte pjesë e kupolës drejtuese të Milanit. Trajneri i Monzës, ka zbuluar për “Sky Sport” se Galiani ka mbajtur një fjalim përpara fillimit të takimit. Përballja kundër Interit ishte e rëndësishme për administratorin e përgjithshëm të Monzës.
“Jam krenar për këta djem. Bëmë historinë, të fitosh në “San Siro“ është mahnitëse. Dua të falenderoj djemtë, stafin, klubin, të gjithë. Galiani? Ne të dy flasim shpesh. Për atë ishte një ndeshje për të cilën u kujdes në mënyrë të veçantë. Ai donte të fitonte disa pikë në “San Siro”. Para ndeshjes sot, ai tha disa fjalë të këndshme. Na motivoi shumë. E kush mund ta bënte më mirë se ai? Kjo fitore i dedikohet atij dhe mbi të gjitha presidentit Berluskoni”, ka thënë Rafaele Paladino./Halit Delibashi-Sport Ekspres/