Të enjten Bashkim Fino pritet të shpallë zyrtarisht kandidaturën për president të Federatës Shqiptare të Futbollit. Është emri i vetëm me bazë reale që qarkullon prej muajsh dhe realisht është kandidati i Partizanit. Deputeti i Partisë Socialiste është mjaft i afërt me drejtuesit e Partizanit dhe shkon shpesh në stadium për ndeshjet e Partizanit, ndaj mund të krahasohet me Erjon Braçen, duke hequr polemikat dhe gërricjet pa fund.
Lidhja me Partizanin nuk diskutohet, lidhja me politikën është edhe më shqetësuese. Realisht, Fino do të lërë çdo funksion dhe nuk do të jetë më deputet pas shpalljes së kandidaturës zyrtare, por është e qartë që nuk është se do të shkëputet nga politika. Lidhjet e tij të forta me partinë në pushtet bëjnë të mendosh që ndikimi do të jetë direkt te zgjedhjet, sepse lind pyetja: për cilin do të votojnë klubet që mbahen nga bashkitë socialiste? Matematika është e thjeshtë edhe në këtë rast dhe kush mendon se politika nuk ka gisht në gjithë këtë histori, është naiv, ose di gjithçka dhe refuzon ta pranojë.
Dikush mund të thotë se politika mund ta ndihmojë futbollin. Ashtu qoftë, por do ishte diçka e re, sepse deri tani politika vetëm e ka shkatërruar futbollin, ashtu si gjithë sportet e tjera. Viti i mbijetesës dhe titullit të parë të Skënderbeut, sa për të përmendur një shembull, apo “të shkuara të harruara”? Po sikur ai precedent të përsëritet, duke ndryshuar ngjyrë?
Po Superiorja, për kë do të votojë? Këtu diskutimi ndërlikohet edhe më shumë. Flamurtari ka dalë hapur kundër Dukës, por ndoshta edhe në Vlorë e kanë një frikë: me Partizanin që mund të bëhet i përkëdheluri i sistemit, çfarë ndryshon për Flamurtarin, para se të fillojë të ankohet për lidershipin e ri? Po klubet e tjera, nuk i druhen një pushteti “të kuq”, një dominimi të tepruar të Partizanit, ashtu si Skënderbeu vitet e fundit? Të shohim, zgjedhjet po afrojnë…
Alfred Mane
Nami do jet po iku Duka, vetem baste dhe politike. Do harrohen Europiani, stadiumet e cdogje…halli modh te fitoje partizani kampionatin!!!!