Bashkim Fino është larguar nga posti i Sekretarit Organizativ dhe Administrativ të Partisë Socialiste, duke mbetur deputet deri në zgjedhjet për kreun e FSHF-së, ku ai është një ndër dy kandidatët në garë.
Privatizimi i klubeve dhe ndërtimi i disa stadiumeve moderne janë disa nga premtimet më të bujshme të Finos, i cili gjithashtu ka premtuar pastrimin e futbollit dhe bashkëpunimin me Prokurorinë për të goditur çdo tentativë manipulimi në futboll.
Premtime të mëdha, natyrisht mjaft pozitive nëse realizohen, por këtu ka disa probleme dhe më i madhi, përtej faktit që duhen gjetur dhjetëra milionë euro për stadiumet, është bashkëpunimi me qeverinë.
Përtej pretendimit të Finos se nuk do të ketë asnjë lidhje me Partinë Socialiste nëse fiton, sepse do të largohet nga Parlamenti, është e qartë që shpresa e madhe e tij për të realizuar reformat, duke nisur nga privatizimi i klubeve, është bashkëpunimi me qeverinë aktuale.
Megjithatë, kjo lidhje e padukshme me politikën ka edhe anën tjetër të medaljes: po sikur pas disa muajsh apo pak vitesh qeveria aktuale ndryshon dhe vjen në pushtet opozita aktuale? Të jemi realistë, sado të pretendojë Fino se nuk ka më lidhje me PS-në, kundërshtarët e tij politikë do ta bllokojnë totalisht. Nuk është e ndershme, por jemi në Shqipëri, e dimë fare mirë luftën që bëhet në çdo drejtim mes dy partive të mëdha.
Po atëherë, si do të realizoheshin projektet në letër të Finos? Vetëm me paratë që Federata merr nga UEFA dhe FIFA? Pa ndihmën e qeverisë për stadiumet, qoftë edhe për leje ndërtimi, duke e nisur nga minimalja? Si do realizohet procesi i privatizimit, kur nuk kemi asnjë ligj dhe nëse nuk e përfundon në kohë Partia Socialiste, dihet çfarë do të ndodhë nëse Fino do të ketë përballë Partinë Demokratike?
Shumë politikë në mes, por nuk evitohen dot disa pyetje që i ngre çdo tifoz i thjeshtë që nuk e vret mendjen kush është në pushtet apo në FSHF, dëshiron ndonjë fushë e stadium më shumë, pak më shumë besim te futbolli në vend dhe tek e ardhmja e tij. Të shohim!