Kandidati për president të FSHF-së vijon fushatën, duke akuzuar Komitetit Ekzekutiv për bindje të verbër, ndërsa befason: Lë politikën nëse fitoj, edhe pse nuk më detyron asgjë
Bashkim Fino, kandidat për President të Federatës Shqiptare të Futbollit, ishte mbrëmë i ftuar në emisionin “Repolitix”, të drejtuar nga Denis Minga, në REPORT TV. Deputeti socialist fillimisht e shpalosi kandidaturën dhe platformën e tij në emisionin ‘Rubrika Sportive’ në RTSH, ndërsa ka vijuar të tregojë idetë e tij për drejtimin e FSHF në 4 vitet e ardhshme, nëse do të votëbesohet në datë 7 shkurt. Përballë Finos në garë është kreu aktual i FSHF, Duka që kërkon mandatin e 5-të, teksa ka 16 vjet që drejton futbollin shqiptar. Bashkim Fino ka qenë i përditësuar dhe ka prekur zhvillimet e fundit, me akuzat, aludimet dhe sidomos “amullinë” mediatike të krijuar mbi shumë tematika, nga përfshirja e politikës në sport te shoqatat rajonale. Gjithçka ka nisur me deklaratën e dhënë nga Pedro Pinto, drejtor i komunikimit në UEFA, sipas të cilit nuk do të tolerohet ndërhyrja apo presioni politik në këto zgjedhje…
– UEFA ka deklaruar se nuk do të lejojë ndërhyrjet politike në zgjedhje?
– E dëgjova, e përshëndes, është e drejtë dhe e saktë. Drejtori i komunikimit në UEFA komunikoi dhe legjitimoi të dy kandidaturat, që do të thotë se nuk ka asnjë pengesë ligjore dhe kushdo mund të kandidojë. FSHF është OJF dhe nuk të ndalon me ligj për të kandiduar. Është e drejta ime për të kandiduar. Kandidimi ka të bëjë me të mirën e futbollit, për të mbushur stadiumet. Më lejoni të them që statusi i UEFA-s thotë neutralitet dhe jo diskriminim. FSHF është asnjanëse.
– Është thënë dhe stërthënë që ju nuk mund të kandidoni duke qenë se jeni sekretar Partie dhe deputet. A do të hiqnit dorë nga mandati?
– Kam të drejtën për të kandiduar. Si në çështjet politike, edhe në ato fetare unë duhet të jem asnjanës. Ka shumë shtete të tjera ku presidentet aktualë në federatat e futbollit, vijnë nga politika, si rasti i Gjermanisë, Rusisë apo Francës. Nëse do të zgjidhem në krye të FSHF-së, do të heq dorë nga çdo post politik, pavarësisht se asgjë nuk më detyron.
– Ju jeni deputet i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Vendimin për të garuar e keni marrë me kryeministrin ose me Gramoz Ruçin?
– Absolutisht jo. Kam integritet të lartë politik dhe moral. Kam parimet e mia. Kjo është ndërmarrje ime personale si individ. Nuk ka të bëjë me ata dhe nuk kam folur, sepse më shumë do t’i prishja punë atyre se vetes time. Sepse, unë e kisha ndarë që do të kandidoja. Nuk i kërkoj asgjë atyre dhe nuk dua gjë. Dua me platformën time t’iu mbush mendjen anëtarëve të Asamblesë. Në dy mandatet që mund të kem, pasi uroj të jem edhe më shumë se 4 vjet.
– Do doja t’iu pyesja për një aspekt njerëzor, pasi ju thoni heq dorë nga karriera politike në rast fitoreje. Si ka mundësi që një si ju të heqë dorë nga politika për federatën? Çfarë ka të rëndësishme ky institucion, FSHF, që ju hiqni dorë?
– Nuk ka asgjë të rëndësishme. Ligji ma lejon të jem dhe si parlamentar, ashtu edhe kreu i FSHF-së, por për të qenë fair-play dhe të përqendrohem dhe përkushtohem te detyra ime në futboll, duhet të mbetem vetëm aty. Pasionin për futbollin nuk e gjeta sot, por e kam prej shumë vitesh.
– Ndërkohë, nuk jeni ftuar të merrni pjesë në përurimin e nisjes së punimeve për selinë e re të federatës. Ju duk ndoshta si diçka e qëllimshme?
– Jo, aspak. Federata dhe ajo fushë që do të ndërtohet aty nuk është as e Dukës dhe as e Finos. Nuk e shoh me nota pesimiste faktin që nuk më çuan ftesë.
– A mund të quhet betejë politike, pasi edhe kandidatin Duka po e mbështet PD dhe LSI, ndërsa juve u akuzojnë për PS. Duket sikur janë zgjedhje elektorale më 7 shkurt?
– Kjo i rrëzon të gjitha ato që thoni se megjithëse unë kam 20 vjet deputet dhe pse kam një luftë të hapur politike me LSI apo PD, mesa duket, kjo nuk ka ndikuar, le të themi, që kolegët e mi të partive opozitare të mos rreshtohen pozitivisht. i dëgjova të thonë që nuk kemi gjë me kandidaturën e Finos por mundohen të njollosin figurën time sikur unë do të kap një post dhe po garoj për të. Unë i hyra kësaj gare me shumë fair play. Kam të drejtë, pra, në këtë kuadër që të akuzoj çdo forcë politike që i del në krah zotit Duka. Por, ashtu siç e dini, lufta ime është vetëm me anëtarët e Asamblesë, që të bind me platformën time, dhe jo me partitë.
– A mund të quhet një garë sportive kjo?
– Ju e shihni se sa sportiv jam unë. Nuk po merrem aspak me politikën dhe bëmat që mund të ketë bërë zoti Duka. Jam në kuadrin e platformës time personale. Ka kohë për të parë çdo gjë më vonë. Në këtë moment jam fokusuar te kjo punë, për pasionin që unë kam për futbollin.
– Ndërkohë, vota e Gjirokastrës, që është në dorën e LSI-së, e cila drejton Bashkinë, ashtu si edhe klubin, i përket Vangjel Tavos, kolegu juaj. Do të jetë votë për ju?
– Di të them atë që gjithmonë kam thënë, pra që jam tifoz i Luftëtarit, sepse jam gjirokastrit dhe kam dhënë kontributet e mia modeste kur isha në Bashki. Vazhdoj të jem fans i Luftëtarit. Kjo ka më shumë rëndësi, jo që presidenca do të më japë ose jo votën.
– A do t’ia kërkoni zotit Tavo?
– Jo, do t’i tregoj platformën time dhe se do të synoj për një futboll të pastër, ku të ketë fair-play dhe shtrëngime duarsh në fund.
– Si është raporti juaj me presidentët e klubeve?
– I njoh, ka edhe që kam kontakte dhe jam i lidhur për shkak të politikës dhe ndjek futbollin. Ka disa që nuk kam kontaktuar prej kohësh por tani më detyron puna që t’i takoj fizikisht dhe t’u parashtroj platformën time deri më 7 shkurt. Uroj të fitojë kandidatura ime.
– A keni informacione se sa është pasuria që zotëron FSHF, pra buxheti?
– Kam informacione se sa është buxheti i FSHF apo sa fonde merr nga UEFA, të drejta TV dhe si i shpërndan. Apo, edhe fondet e solidaritetit, që mora vesh që prej 15 vjetësh nuk e ndanin. U desh që një klub të akuzonte dhe të nisnin të merrnin, pasi iu tha se ishte thjesht një akumulim që do të shpërndahej. Informacioni im për pasurinë e FSHF-së është i cunguar, pasi nuk mund të shkosh të bësh debat në një vend ku nuk e di se çfarë ka aty.
– FSHF nuk ka transparencë, këtë po thoni?
– Jo, dhe kjo është pika kryesore. Duhet transparencë dhe decentralizim. Për presidentët duhet të jetë çdo gjë transparente dhe duhet të dinë se ku shkon qindarka e fundit. Kompetencat e plota për të gjitha strukturat. Nuk mundet ta drejtojë një dorë e fortë nga lart. Drejtohet si ekip, si në futboll, luajnë, fitojnë ose humbasin 11. Nuk duhet të vendosë me dhunë presidenti. Lexoni statutin, të gjitha kompetencat e presidentit janë honorifike. Vlerën e ka Komiteti ekzekutiv, për çdo vendimmarrje. Si në rastin e Bashkive, kur miratohet buxheti dhe fondet. Në FSHF drejton presidenti dhe anëtarët e komitetit, edhe pse kam respekt, janë të gjithë Yes Man (ata që thonë vetëm “Po”) dhe ngrenë dorën e urdhërohen. Detyra e presidentit është të mbledhë Asamblenë, e drejton atë, mbikëqyr vendimet e tyre. Siguron funksionimin e rregullt dhe juridik të organeve e përcaktuara nga FSHF. Mban lidhje me FIFA-n, emëron trajnerët e ekipeve kombëtare dhe stafet. Nuk ka kompetenca të tjera. Punën e bën sekretari dhe komiteti. Por, edhe kur vjen puna për të zgjedhur anëtarët e komitetit, zoti Duka i ndan me copa letra dhe thotë këto janë anëtarët e komitetit dhe votoni. Por, harron që janë klubet që zgjedhin. Kam kontaktuar me shumë nga klubet që sot janë në federatë dhe ju kam thënë: “Ju lutem, edhe pse patët dëshirën që të më propozonit mua, pjesën tjetër zgjidhni personalitete për Komitetin, si në fushën e jurisprudencës, futbollit, ish-futbollistë, që janë dhe duhet të jenë pjesë e komitetit ekzekutiv, orkestra që do të drejtojë”.
– Çdokush do të përpiqet të zgjedhë ekipet e tyre, nuk do t’ia lini Bashkive?
– Kur thashë ju drejtova disa klubeve, kisha parasysh këtë gjë. Është e drejta tyre për të propozuar dhe votuar. Ka personalitete në listën e klubeve si Theodhori Sollaku, jurist i madh. Si Eduard Prodani, ish-sekretar, si Redi Jupi, ish-futbollist i kombëtares, njeh futbollin dhe opinionist me zë. Gëzim Podgorica, nga fusha e medies. Apo si Artan Shyti, që janë emra të njohur. A kanë pranuar? Kjo është çështje tjetër.
Shoqatat e paregjistruara në gjykatë
– Çfarë mund të thoni me shoqatat rajonale dhe përqasjen e tyre në FSHF me të drejtë vote?
– E para, Duka i ka zakon t’i bëjë zgjedhjet në Durrës. Nuk e kundërshtoj dot, është Komiteti Ekzekutiv që vendos rendin e ditës dhe Asamblenë. Ata duhet të kenë një gjë parasysh dhe nuk duhet të qasen te dera e Asamblesë. Ne, nëpërmjet klubit të Flamurtarit, ia kemi kërkuar zyrtarisht se duhet të mos përfshijë këto shoqata rajonale, të cilat nuk duhet të paraqiten në dyert e Asamblesë atë ditë. Kemi bërë kallëzim në Prokuri për falsifikim dhe mashtrim. Jemi në procesin e ndjekjes së hetimit. Kemi bërë dosje të plotë me të gjitha falsifikimet që ka bërë ky president dhe kjo federatë. i kemi çuar në UEFA dhe do të dëgjoni gjëra që nuk i keni dëgjuar më parë.
– FSHF do të regjistrojë këto shoqata në datën 18 janar…
– Pres përgjigje zyrtare. Në këto momente jam kandidat për president. Një klub dhe anëtar i kësaj federate i ka kërkuar kërkesë për pezullim FSHF-së, që s’është përgjigje. Presim që Prokuroria të thërrasë të 12 anëtarët fantazmë në gjykatë. Do të ecim hap pas hapi me të gjitha.
– Po nëse më 7 shkurt këto 12 anëtarë do të prezantohen?
– Nëse do të vijnë janë jo në konform ligjit dhe statutit të tyre. Këtë statut e bënë ata anëtarë dhe do të kërkojnë me forcë që statuti të zbatohet. Na jepni informacion për këtë çështje. Nuk e fshehim dot kokën si struci. Unë di që FSHF është institucion që duhet të kthejë përgjigje për kërkesat e klubit Flamurtari. Ata janë personalitete, si Sulejman Mema. Por, nuk mundesh dot që të jesh në krye të një shoqate dhe të marrësh rrogën në FSHF. Të drejtosh femrat dhe të marrësh rrogën te FSHF. Pse krijoi 8 shoqata kur ndarja territoriale ka 12 qarqe? Pse nuk ka futur Vlorën, Kukësin, Dibrën dhe Beratin? Pse ka seleksionuar që ka vënë emra dhe njerëz që u jep rrogën dhe u thotë eja votoni? Nuk mund të futem në garë me kundërshtarin që ka 12 vota “pro” pa nisur ende procesi zgjedhor. Dëgjova që ka çuar t’i regjistrojë këto shoqata, por të harrojnë se edhe ato 4 shoqata do të votojnë. E thotë statuti, nëse edhe regjistrohen duhet të kalojnë procedurën. Do të shkojnë te komiteti. Komiteti do t’i paraqesë Asamblesë. Edhe këtë veprim që ata bëjnë, pra e legjitimojmë, edhe unë do t’i legjitimoj nëse vij në krye, por vitet në vazhdim.
– A do të braktisni garën nëse ata paraqiten?
– Gjendja është si të thashë, po ndjekim çështjen me kallëzim në Prokurori. Ne nuk duam as burg dhe asgjë. Ne duam garë të ndershme dhe të votojnë anëtarët e Asamblesë që janë të ligjshëm dhe regjistruar. Ne kërkojmë ligjshmërinë. Deri tani nuk ka pasur garë dhe ndaj ka ecur Duka, por tani që ka vërtet garë, kërkojmë ligjshmëri dhe ajo është mbi këdo.
– Po nëse nuk i garantohet një anëtari të komisionit të sigurisë?
– Ligjshmëria është për çdo njeri. Dhe unë dhe zoti Duka jemi dy kandidatë. Paçka se ai jep urdhra dhe drejton FSHF. Ai është kandidat tani, që kur Komiteti Ekzekutiv caktoi datën. Ai duhet t’i linte punët sekretarit. Çfarë do të thotë që u bë rendi i ditës dhe kaloi në Komitet. Përshëndetjet e presidentit të FSHF. Ky është kandidat dhe jo president. Nuk u përshëndet as kandidati tjetër, i radhës. Që të ndryshosh rendin e dytës duhet të ketë votim me kartonë. Ai i bën këto se zgjedhjet i ka pasur si festime dhe jo garë.
– Po thoni që Durrësi është avantazh për Dukën?
– Pse të gjitha bëhen në Durrës? Pse te hotel Adriatiku? Pse në mëngjes në orën 9, që të vijnë një natë përpara presidentët dhe t’i kaparosi. Pse jo në Tiranë dhe hapur me të gjitha mediat. Kush flet, çfarë thotë dhe si votohet. Kam të drejtë të paragjykoj. Pse të gjitha në Durrës, në Adriatik? Nuk ka problem për mua dhe anëtarët e Asamblesë, por këto zgjedhje bëji ku ke selinë, si OJF, në mes të Tiranës dhe transparente. Por, për mua nuk ka problem.
– Nuk e shihni problem pse zhvillohet në Durrës?
– Jo, aspak. Kam dëgjuar histori interesante që i shumëzoj me zero, por më vret veshin që janë bërë të gjitha në Durrës.
“Do të rikthej tifozët në stadium me futboll si kristali”
– Trukimi i ndeshjeve. Çfarë vizioni keni, si ndalet? Mjaft akuza ka për mosparandalim nga FSHF?
– Trukimi i ndeshjeve ka të bëjë me përmirësimin e imazhit nga publiku. Ka humbur besimi te futbolli shqiptar dhe ke shumë pak njerëz. Kjo vjen edhe për faj të federatës dhe gjykimeve të ndeshjeve. Ndikojnë negativisht që të mos ketë pastërti. Nëse je i pastër me veten tënde, nëse rrezaton këtë pastërti te strukturat që drejton. Duhet të bësh të mundur që strukturat të punojnë të qeta. Pra, të kërkosh llogari dhe përgjegjësi për masat që duhet të marrin. Nëse kjo do të bëhej e pastër si kristali për të gjitha ekipet, edhe për atë që ka prerë biletën për të rënë nga kategoria, atëherë do të minimizohej edhe pjesa e trukimit. Federata duhet të jetë pjesë e luftës kundër këtyre fenomeneve, bashkë me UEFA-n. Nëse e bëjmë bashkë, do të nisin të mbushen stadiumet shqiptare. Ne mund të kërkojmë edhe nga kompanitë e basteve, për ta hequr kampionatin dhe pastruar vetë, në raport dhe me organizatat ndërkombëtare. Ka ekipe që luajnë mirë dhe pastër, por edhe që dënohen. Do të mërzitem shumë për çdo ekip shqiptar nëse vjen një vendim për ta dënuar dhe hequr tituj e pjesëmarrjen.
– Ka akuza se FSHF ka mbajtur apo hedhur në kategori ekipe të veçanta. Ju e besoni?
– Nuk është qëndrim i imi personal. Nëse do të diskutohet se si do të jetë figura, janë këta aktorë që marrin vendime, mbase edhe për një strukturë të re. Tani nuk flas dot për strukturën e kampionatit në të ardhmen, por nëse klubet e kërkojnë, pse të mos e bëjmë.
– Pse duhet ta shohim futbollin shqiptar?
– Për masat që ju thashë. Për të ngritur strukturat e komisioneve disiplinore të sakta. E dini ju që ligji i sportit e ka arbitrazhin, ndërsa FSHF e ka hequr padrejtësisht, pra shkallën e tretë. Dhe thonë që shkoni në Lozanë, ku duhet paguar 5 mijë franga. Një lojtar që dënohet nuk ka para ta paguajë. Është i domosdoshëm rikthimi i Arbitrazhit, që çdo klub dhe individ të ketë mundësi të mbrohet. Arbitrazhi duhet të jetë i varur nga Komiteti Olimpik Shqiptar. Infrastruktura, sakaq, është për të dëshiruar. Është e vërtetë që janë bërë disa fusha dhe tapete me bar. Ato klientelistët e ndërrojnë çdo vit, të tjerë njëherë në dy vjet. Investimi është bërë selektiv. Duhet të nisë nga Akademitë. Duhet krijuar fusha model në përmasa për t’u stërvitur fëmijët dhe ekipi i parë, ndërsa stadiumi një herë në javë përdoret. Nuk investohet vetëm te Superliga, që ka mundësi më shumë. Gjithçka duhet bërë në mënyrë transparente. Fundja, një votë ka kategoria e tretë dhe një votë edhe Flamurtari. Pse Flamurtari t’i ketë të gjitha të mirat dhe ai mos t’i ketë. Ndaj them duhet transparencë. Këto investime duhet të bëjnë të mundur një masivizim të futbollit.
– Ju keni thënë se do të ndërtoni 5 stadiume. Si?
– Kur them 5 stadiume, jo me standarde të mëdha dhe përmasa. Sot, numri i tifozëve nuk mund të kalojë 10 mijë veta. Duhen stadiume të tipit anglez, të vogla të rrethuara dhe që të mos rrahë era. Stadiume me 5, 7 dhe 10 mijë vendesh e pranon çdo qytet. Si Durrësi, Lushnja apo Gjirokastra. Është më mirë të bëjmë stadiume të tilla dhe të certifikuara nga UEFA, ku të luajnë të gjitha grupmoshat, teksa kombëtarja e madhe kërkon një stadium më të madh, se ka interesim.
– Stadiumi “Arena Kombëtare”. Thuhet dhe që posti i FSHF-së bëhet edhe për këtë strukturë. Këto janë akuzat mediatike…
– Nuk di të them, di të them që është stadium shumë i mirë dhe që ka nisur puna. Do të jetë shembull për këdo, madje më i miri në Ballkan. Se si janë çështjet e marrëveshjeve, ato janë të lidhura. Janë çështje kontraktuale.
– Panuçi, çfarë mendimi keni?
– Si futbollist i heq kapelen, por edhe si trajner më ka dhënë përshtypje të mira. Është për t’u parë, sigurisht. Kritikova në mënyrë pak diplomatike qoftë atë, qoftë De Biazin apo lojtarë, pavarësisht përgjigjes së Dukës, sepse është e vërtetë që kanë punuar me Dukën, por ata nuk janë pjesë e zgjedhjeve, nuk votojnë. Edhe pse dëshirën e kanë normale. Edhe nëse zgjidhem unë, nuk humbasin asgjë nga karriera e tyre, pasi japin djersën dhe fuqinë e tyre. Të drejtën e seleksionimit e bën trajneri. Më mirë të mos flasin që unë të mos paragjykoj. Mos vallë kanë ardhur deri këtu pa zotësinë e tyre? Prandaj them, le t’u lihet anëtarëve të federatës dhe jo atyre.
– Raporti juaj me kombëtaren?
– i shkëlqyer. Kam qenë edhe në Europianin e fundit, bashkë me zotin Duka. Kush nuk e do kombëtaren që të ecë përpara?
– Objektivi ose dëshira juaj për kombëtaren, në të ardhmen?
– Pse jo, ëndrra për të shkuar në Botëror dhe sa më shumë herë në Europianin. Kontratat e trajnerëve asnjëherë nuk janë shfaqur. Po ju, si do të veproni? Kryefjala ime është transparenca. Nëse do të jem në krye. Çdo detaj.
– Keni ndonjë këndvështrim për kombëtaret e moshave dhe pse nuk ecin?
– Ato duhet të jenë në funksion të ekipit të parë. Çdo ekip U-18, U-19 dhe U-21 janë ekipe të cilat furnizojnë ekipin e parë. Pyetja është ndryshe, a do të ishte e mundur që një pjesë e mirë e këtyre lojtarëve që luajnë me këto ekipe të luajnë në ekipin e parë? Në këtë drejtim duhet të punojmë të gjithë, të kemi prurje për kombëtaren shqiptare.
– Ka shumë persona kundër kandidaturës tuaj. Mendimi juaj?
– E drejta tyre që të kundërshtojnë. Unë do të respektoj çdo proces kontraktual që ka FSHF me trajnerët e këtyre kombëtarëve. Do të zbatohet kontrata. Nëse nuk realizojnë objektivat, pra ato që kanë nënshkruar me presidentin, do të largohen.
– Më 7 shkurt, do të jetë një Asamble që do të zgjasë, do të pranoni rezultatin dhe do të shtrëngoni duart me rivalin tuaj?
– Absolutisht po. Është një nga qëndrimet e mia, edhe pse në politikë nuk ka shtrëngime duarsh. Nëse gara bëhet e ndershme dhe janë ata anëtarë që thotë statuti. Nëse procesi i votimit do të jetë transparent dhe të jepet live në TV se si votohet dhe fletët e votave do të jenë po atë ditë, do t’ia shtrëngoj dorën zotit Duka. Nëse ka kontestime, do të bëhen aty.