Finalja Champions kthehet në makth: bileta të shtrenjta, aeroport i bllokuar dhe asnjë hotel!

Qindra vende mund të mbeten bosh të shtunën, në finalen e Champions League mes Liverpulit e Realit, pasi mbi 2.000 tifozë të Realit i kanë kthyer mbrapsht biletat, nga frika se do të kenë probleme me udhëtimin dhe akomodimin në Kiev.

Reali i ka nxjerrë sërish në shitje biletat e kthyera, por frika është e madhe që shumë bileta do të mbeten pa shitur.

Liverpuli nuk e ka për momentin një problem të tillë dhe ka kërkuar të blejë biletat e Realit, por UEFA ka refuzuar, për të mbajtur të ndara tifozeritë.

Gjithsesi, problem tjetër është edhe kostoja e biletave që kanë dalë sërish në shitje online, sepse çmimet janë skandaloze në uebsitet që rishesin biletat.

Një vend me vlerë 300 euro në stadiumin Olimpik të Kievit shitet online më shumë se 15.000 euro, ndërsa disa paketa VIP kushtojnë mbi 24.000 euro.

Kostoja e biletës, duke nisur nga 300 euro nëse blihet nga klubi, është vetëm një problem i vogël, por nëse shtohet pastaj mungesa e fluturimeve për në Kiev, si dhe akomodimi tmerrësisht i shtrenjtë, tifozët janë të detyruar të thonë “Jo, faleminderit”.

Një leksion edhe për UEFA-n, sepse prej sezonit të ardhshëm do të ndryshohet mënyra e përzgjedhjes së stadiumit pritës të finaleve. Çdo stadium do të duhet të plotësojë disa kritere, duke përfshirë kapacitetin e aeroportit dhe akomodimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *