Nga lart-poshtë në posht-lart! Me fjalë ishte e lehtë, por me vepra jo edhe aq. Edhe pse, ai ia doli. Tani, mund të varë këpucët. Mision i kryer nga kapiteni i rekordeve: Parma u ngjit!
Anton Cicani
Në një nga tragjeditë më të mëdha të historisë së njerëzit të ndodhur në det, kur gjiganti “Titanic”, në udhëtimin e tij të parë transoqeanik, do të fundosej bashkë me shpresat, ëndrrat dhe dëshirat e pasagjerëve, trupat e të cilëve shkuan në fund të detit… Faji i një ajsbergu, që u nënvlerësua shumë nga kapitaneria dhe sidomos timonieri kryesor… Duhet të ishte një mbrëmje hareje, muzike dhe sidomos gëzimi për personat në bordin e anijes madhështore, që u nis nga porti i Anglisë për të kaluar Oqeanin Atlantik. Por, u kthye në një tragjedi të vërtetë… Sot, filmi “Titanic” vazhdon të tërheqë vëmendjen e audiencës, me Leonardo Di Kaprion aktorin kryesor. Por, shpesh aktorët që luajnë filma janë inspirim jete dhe për ata që nuk luajnë role, por i jetojnë ato.
Alesandro Lukarelit i kishin dalë thinjat kur gjykata vendosi falimentimin e Parmës, që do të shkrihej për ta nisur nga zero. Ishte 38 vjeç dhe mund të vendoste të mbyllte karrierën e tij si futbollist, pasi i kishte dhënë shumë këtij sporti. Por, Lukareali, pasi u mendua, tha “nuk iki tani, jo tani! Ndoshta më vonë po, por jo tani. Jo pa ngjitur Parmën aty ku i takon”. Imagjinoni një profesionist absolut që është përballur me kampionë, me futbollistë të mëdhenj dhe me skuadra historike, të zbresë mes diletantëve, në fusha qytezash, mes fyerjeve të tifozëve vendas, apo edhe “pordhët” e ndonjë kundërshtari që mund t’i kalonte topin mes këmbëve… Të rrezikosh të të tallin, por të mbahesh fort pas një krenarie që quhet “besnikëri” ndaj ekipit të zemrës, Parma.
Lukareli nuk dëgjoi as familjarët e tij, as miqtë, asnjë. Ishte i bindur se do t’ia dilte. Aq sa do të shënonte dy gola në fund të sezonit, edhe në moshën e tij, duke vendosur rekord: askush nuk ka arritur të shënojë gola në të katërt kategoritë (Seria A, Seria B, Seria C/Lega Pro, Diletantët). E kështu, malorja nisi të bëhej më pak e fortë, teksa edhe në Serinë C, do të vazhdonte të shënonte, edhe pse pak, teksa paralelisht vijonte kurset për t’u bërë trajner dhe shpesh merrte pjesë si opinionist.
Më 17 qershor, Lukareli merr një tjetër lavdi: Parma siguron ngjitjen në Serinë B, pas një viti në Serinë C. Kontrata, sakaq, i skadonte dhe ishte i lirë të bënte çfarë të deshte, por paraqitet në dyert e klubit. “Ku është kontrata ta firmos edhe për 1 vit”. Pyetja? “Pse do ta bësh, je i lirë të ikësh!”. “Jo, pa e ngjitur Parmën”. Sot, ai mund të varë këpucët në gozhdë: ia doli! Luajti në katër kategori, nga lart poshtë, nga poshtë lart. Sepse, në fund të fundit, kapiteni nuk e braktis kurrë anijen, qoftë edhe nëse nuk është fajtori. Nëse ikën ai, shpresa shuhet për të gjithë.