Nga Klaudio Ndreca
Viktor Osimhen, është ky një tjetër talent i madh që ka rritur cilësinë e kampionatit në Seria A. I ardhur nga Lille, sulmuesi 21-vjeçar është cilësuar edhe si një “Mbape” tjetër që lindi në futbollin e “Ligue 1”. Gatuzo është një trajner që futbollin nuk e sheh për vlerën monetare që merr në fundin e muajit, ndërsa e kërkoi këtë lojtar me ngulm të madh, aqsa ishte i gatshëm që të linte një pjesë të rrogës së tij vetëm për ta pasur në ekip.
Në ndeshjen e sotme përballë Parmës do të bënte debutimin e tij, ku megjithëse nuk shënoi, Osimhen i ndezi “motorrët” për 30 minuta. Por çfarë i pëlqen Gatuzos kaq shumë te ky futbollist? I lindur në Nigeri, trajneri i Napolit vlerëson përveç aftësive të mëdha që zotëron dhe i shpalos në fushën e lojës, edhe karakteristikat që e bëjnë Osimhen një njeri të mirë dhe të inteligjent. “Kurrë mos harro se nga ke ardhur”, është ky muri me të cilin përplasen shumë futbollistë për t’u shtrirë në tokë dhe për të mos bërë kurrë një karrierë të madhe. E sidomos në Shqipëri, këto fjalë duhet t’i dëgjojnë me vëmendje.
“Këshilla ime për Osimhen? Shiko, gjëja kryesore që më ka bindur që nga dita e parë, kur isha në shtëpi rreth përpara tre muajsh, janë cilësitë dhe karakteristikat e këtij lojtari. Ka vlera të mëdha dhe është një njeri i mirë mbi të gjitha. Një djalë që e di se nga vjen, në çfarë vendi është rritur. Nuk e harron kurrë këtë. Jam shumë i sigurt se nëse do të vazhdoj kështu dhe të jetë me këmbë në tokë do të bëjë karrierë të madhe. Me Osimhen ka qenë kaq shumë e lehtë. Pas 4-5 ditësh në dhomat e zhveshjes filloi të bënte shaka. Nëse nuk ke karizmën e duhur dhe nëse nuk je inteligjent, nuk mund të bëhesh mik dot me të gjithë pas 4-5 ditësh”, u shpreh Gatuzo, duke bërë një vlerësim edhe të detajit në dukje të parëndësishëm. /Sport Ekspres/