Realdo Fili nuk është më futbollist i Partizanit që nga dita e djeshme. Sulmuesi i krahut mori letrat në klubin e kuq duke i dhënë fund aventurës së tij 2 vjeçare me ekipin kryeqytetas. 21-vjeçari i dha zgjidhje të ardhmes së tij, ditën e djeshme, pas takimit të radhës me zyrtarët e klubit të kuq. Aty u mor edhe vendimi përfundimtar. U bë ashtu siç dëshironte Fili dhe klubi nuk e pengoi të vazhdonte karrierën e tij, pasi trajneri Sulejman Starova nuk e kishte më në plane. Zgjedhja më e mirë për të dyja palët ishte të ndanin rrugët. Fili është një lojtar i lirë në treg tashmë dhe do të shohë mundësitë që i ofron janari, sigurisht e ardhmja e tij do të vendoset sot, pasi merkatoja quhet e mbyllur pas datës 31.
LARGIMI – Fieraku kishte rënë dakord me Drejtorin e Përgjithshëm, Olsi Rama, që ditën e hënë, por u prit që të takohej me presidentin, Gaz Demi, për të vendosur pikat mbi “i”. Diçka e tillë nuk u bë e mundur, pasi numri një i klubit kishte angazhime të tjera kështu që Fili takoi sërish drejtorin Rama. Biseda nuk ishte shumë e gjatë dhe palët ishin në një mendje, më e mira për lojtarin ishte të largohej. Rama nuk e zgjati shumë me kërkesat e tij për huazim, pasi dëshira e 21-vjeçarit ishte të largohej përfundimisht. Ishte ai që kërkoi shkëputjen përfundimtare dhe marrjen e letrave nga klubi i kuq. Në fund, gjithçka u mbyll në mënyrën më të mirë.
ZYRTARIZIMI I KLUBIT – Një pjesë e veçantisë në largimin e Filit ishte edhe zyrtarizimi nga ana e klubit. Partizani lajmëroi tifozët për largimin e fierakut duke e falënderuar për kontributin e dhënë, ndryshe ndodhi me Vilën, Malotën dhe Krasniqin. Të kuqtë lajmërojnë shkëputjen prej tij duke kujtuar edhe paraqitjet e tij më të mira. “Klubi falënderon lojtarin Realdo Fili për kontributin e dhënë përgjatë dy sezoneve me fanellën e Partizanit. Për tu veçuar përformanca pozitive në kualifikimin historik përballë hungarezëve të Ferencvarosh në sezonin 2016 – 2017. Sulmuesi 21-vjeçar ka arritur sot (dje) marrëveshjen me drejtuesit e klubit duke mbyllur me mirëkuptim aventurën e tij me 15-të herë kampionët e vendit. Si rezultat i konkurrencës së shtuar, klubi duke marrë në konsideratë hapësirat e kufizuara të aktivizimit, i jep mundësi lojtarit të vijoj karrierën e tij në një tjetër ekip. Klubi i uron Realdo Filit suksese të mëtejshme në karrierën e tij sportive”, – përfundon njoftimi i skuadrës.
Fili: S’është momenti për të folur, shumë ekipe në lojë
Sulmuesi Realdo Fili u shkëput përfundimisht nga skuadra e Partizanit. Futbollisti nuk pranoi të qëndronte më me të kuqtë dhe kërkoi marrjen e letrave. Një dëshirë që u mor parasysh edhe nga drejtuesit e klubit që e kishin jashtë planeve. “Sport Ekspres” kontaktoi me Filin, ditën e djeshme, dhe i mori një prononcim të shkurtër. 21-vjeçari nuk donte të fliste gjatë për situatat që e rrethojnë, pasi mendon se nuk është momenti i duhur për ta bërë. Fieraku nuk shqetësohet as për të ardhmen, pasi po merret menaxheri i tij me atë pjesë. “Nuk dua të flas gjatë për largimin tim nga Partizani. Dua të them vetëm se e kam kërkuar unë që t’i jap fund kësaj aventure dhe nuk ka një heqje nga klubi i ‘demave’, siç po përflitet. E ardhmja? Nuk e di se ku mund të shkoj. Po merren persona të tjerë me atë pjesë dhe në fund do të më pyesin edhe mua. Nuk mund të them se ku do të shkoj, po dëgjoj fjalë te Skënderbeu, Flamurtari, apo Laçi. Nuk e di”, – përfundon ai.