Skënderbeu duhej që nëpërmjet një vlonjati të mposhte Flamurtarin në ndeshjen e fundit, duke fituar me rezultatin 1-0. Pikërisht Bregu ishte futbollisti që dërgoi topin në rrjetë në minutat e fundit, për t’i dhënë korçarëve tre pikët e radhës.
Ndërkohë lojtari në fjalë ka treguar dhe shpjeguar festimin e bërë ndaj Flamurtarit. Në intervistën e dhënë për “Procesi Sportiv”, është shprehur se gjithçka varet nga vështirësia e ndeshjes.
“Ka shumë raste kur lojtarët zgjedhin që një gol ta festojnë ose jo. Unë kam shënuar edhe disa gola të tjerë ndaj Flamurtarit. Këtu kam festuar se ishte një ndeshje shumë e vështirë, jemi munduar shumë dhe rrjeta u tund vetëm në minutat e fundit. Kjo ishte arsyeja, historia ime me Flamurtarin është mbyllur dhe unë ruaj respekt për atë skuadër”, ka thënë Bregu. /Sport Ekspres/