“Festa zgjat edhe sot”, FSHF kujton fitoren me Greqinë ngre peshë tifozët para Hungarisë: Kjo është magjia e futbollit

4 shtatori i vitit 2004 do të mbetet gjithnjë e rrënjosur në mendjen e çdo tifozi shqiptar, që sa herë kthehet pas në kohë ndan vetëm kujtime të bukura nga kjo datë. Si sot 17 vite më parë Kombëtarja jonë do të prekte një nga fitoret më të bukura në historinë e saj, teksa mposhti Greqinë e saposhpallur kampione e Europës.

Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-1, ku golat erdhën nga Murati dhe Aliaj, ky i fundit me një perlë nga goditja e dënimit. Padyshim që në stadiumin “Qemal Stafa” atë natë dëgjoheshin vetëm britmat e gëzimit të tifozëve kuqezi, që nuk e ndalën asnjëherë festën e tyre. Edhe vetë FSHF ka kujtuar sot këtë triumf të madh të ekipit tonë kombëtar, duke ngritur peshë tifozët para ndeshjes së nesërme kundër Hungarisë.

Postimi i FSHF-së:

Data 4 shtator e vitit 2004 nuk është një datë e zakonshme për Kombëtaren shqiptare të futbollit.

“Qemal Stafa” kishte marrë tjetër pamje atë ditë. Hyrja e stadiumit do të fillonte te sheshi “Skënderbej”, i mbushur përplot me tifozë, si kurrë më parë. Në vendin tonë kishte mbërritur Greqia, që më 4 korrik ishte shpallur kampione e Europës, pasi kishte mundur në finale Portugalinë.

Shqipëria modeste e Hans Peter Brigel, që luante ndeshjen e 194 në historinë e saj të krijimit si Kombëtare, do të niste një tjetër fushatë eliminatoresh, me pretendimin për të qenë pjesë e Kampionatit Botëror që do të zhvillohej në Gjermani në vitin 2006. Një rival jo i lehtë, por aspak i pamundur për kuqezinjtë, të cilët e kishin mundur edhe katër vite më parë Greqinë në Tiranë.

Për Shqipërinë do të shënonte fillimisht Edvin Murati, Lusha kuqezi, i cili në minutën e 2-të përfiton nga një gabim i kundërshtarit dhe godet me kokë brenda zonës, duke kaluar në avantazh Shqipërinë. Stadiumi “u çmend”. 8 minuta më vonë Adrian Aliaj, 11-shi i kuqezinjve, që ishte në frontin e parë të mbrojtjes do të shënonte një super gol nga goditja e dënimit, duke ngritur peshë zemrat kuqezi. Gjithçka dukej e pabesueshme. Në fakt, ajo mbrëmje ishte e vërtetë. Grekët arritën të shënonin vetëm një gol në minutën e 38-të. Pjesa tjetër e lojës nuk ndryshoi.

Ndeshja u mbyll me shifrat 2-1, por festa zgjati. Dhe zgjat ende sot, kur kanë kaluar plot 17 vite nga ajo ditë. Tifozët këndojnë ende në kor, kur flitet për Kombëtaren. Kjo është magjia e futbollit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *