Presidenti Tavo lë të lirë një nga dy trajnerët e huaj dhe i lëshon ultimatum skuadrës: 5 pikë në 3 ndeshje
Janë luajtur vetëm 5 javë kampionat dhe vjen edhe largimi i trajnerit të dytë në Superligë. Fjala është për uruguaianin e Luftëtarit Daniel Fernandez. Stërvitja e djeshme është zhvilluar me porta të mbyllura, duke qenë në fushë vetëm futbollistët dhe trajnerët Kurbelo e Koltsidas. Në ambientet jashtë stadiumit është parë të largohet edhe trajneri nga Uruguai, Daniel Fernandez, për të mos u kthyer më në stolin e Luftëtarit. Ka shumë ditë që Kurbelo dhe Fernandez punonin veçmas me futbollistët sa herë që ata ndaheshin në dy grupe, por vështirësia për Fernandez ka qenë gjuha e komunikimit me futbollistët duke folur vetëm spanjisht që kuptohet vetëm nga 2-3 futbollistët, ndërkohë që Kurbelo flet shumë mirë greqishten që kuptohet pothuajse nga të gjithë futbollistët, sidomos termat dhe shprehitë sportive. Daniel Fernandez është përshëndetur para largimit me të gjithë futbollistët dhe stafin tjetër. Amerikano-jugori nuk arriti të përshtatej në Shqipëri, por sigurisht që arsyeja kryesore ishin edhe rezultatet negative që mori kreu i pankinës. Detyra e trajnerit i kalon tashmë Luis Kurbelos. Ai ishte më aktivi në stërvitje dhe drejtimin e ekipit edhe gjatë ndeshjeve, por edhe në marrëdhëniet me mediat dhe komunikimin me të tjerët. Luis Kurbelo ka një detyrë të vështirë përpara dhe i duhet që skuadra që ai drejton të plotësojë atë ç`ka kërkon presidenca gjirokastrite duke qenë se paralajmërimi është në fuqi edhe për të.
PARALAJMËRIMI – Stërvitjen e djeshme ekipi i Luftëtarit e ka zhvilluar pasdite në fushën e stadiumit. Një seancë është parashikuar edhe sot paradite, për t’i dhënë fund përgatitjeve dhe për t’u nisur drejt Tiranës. Luftëtari ka përpara tre takime të rëndësishme dhe me skuadrat pretendente për titullin kampion, Partizanin, Kukësin në Gjirokastër dhe një javë më vonë me Skënderbeun në Korçë. Pas humbjes me Kamzen ka rënë entuziazmi dhe tani futbollistët e Luftëtarit kanë përpara një objektiv të ri, të vendosur nga presidenca në formën e një ultimatumi, për të marrë pesë pikë në tre ndeshjet e ardhshme, ç`ka nënkupton se nuk duhet të humbasë ndaj Partizanit dhe Skënderbeut në transfertë dhe të fitojë në Gjirokastër me Kukësin.