Bujar Balliu
Fatmir Sala është një nga trajnerët që e adhuron së tepërmi futbollin, dhe është një tip shumë kërkues që asnjëherë nuk dorëzohet. Sezonin që sapo lamë pas, Iliria e mbylli në vendin e parë të grupit “play-out”, por sipas Salës, mund të ishte bërë më shumë. Ndonëse mori pjesë në Grupin e Jugut, aty ku vështirësia dhe konkurrenca ishte shumë madhe krah ekipeve me shumë emër e traditë në futbollin shqiptar, duke filluar që nga: Tirana, Bylisi, Pogradeci, Tomori, Apolonia, Shkumbini, Naftëtari e ndonjë tjetër, skuadra e trajnerit Fatmir Sala nuk u dorëzua, madje siguroi mbijetesën disa javë përpara, e natyrisht nuk la jashtë vëmendjes edhe nxjerrjen e ndonjë elementi cilësorë. Fatmir Sala është historia e futbollit të qytetit të Fushë Krujës, pasi ka një jetë që ja ka kushtuar futbollit, e sidomos Ilirisë. Tekniku rrëfen sezonin e shkuar dhe shpalos synimet për edicionin e ri, në një rrëfim ekskluziv për “Sport Ekspres”.
- Profesor, me çfarë po merreni gjatë kësaj kohe?
Të zakonshmet, vazhdoj të punoj pa pushim, për sezonin e ri dhe objektivat që kemi, duke filluar që nga merkato. Ndonëse jemi një skuadër pa ndonjë objektiv madhor, kemi dhe ne nevojë për disa ndryshime.
- Janë lakuar disa emra së fundmi për largime të mundshme nga Iliria, si qëndron e vërteta?
Në fakt dhe unë jam habitur nga ata çfarë kam lexuar. Dua të ju siguroj juve, se çdo futbollist i Ilirisë ka kontratë edhe për sezonin e ri, ndaj ato çka keni lexuar nuk janë të vërteta.
- Çfarë objektivi ka Iliria për sezonin e ri?
Objektivi ynë është qëndrimi në kategori, por shpresojmë që në qoftë se do të jetë serish me dy grupe A dhe B, të arrijmë të kapim pesëshen e parë, pasi sezonin që u mbyll vuajtëm jo pak, pavarësisht se e mbyllëm në vendin e parë.
- E thatë pak më lart, që nuk do të ketë largime. Po afrime do të bëhen?
Normalisht, siç theksova dhe më lart, të gjithë janë me kontratë. Por, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë largimi. Sa i takon afrimeve, kemi piketuar 2-3 afrime cilësore, duke qenë se në ekip kemi disa vende bosh.
- Është e pamundur që ta shohim Salën larg Ilirisë, apo dhe anasjellas…
- Një pyetje që më bën të emocione, unë i jam përkushtuar me mish e me shpirt futbollit në Fushë Krujë, si i vetmi mjet argëtimi. Madje, edhe kur skuadra ka rënë në të Dytën vërtetë ka qenë dramë, por ama kam mbledhur forcat dhe e kemi ringritur bashkë dhe me djemtë. Ama ne sot ja ku jemi. Luajmë me dinjitet, kërkojmë që të zhvillojmë futboll të bukur dhe larg dhunës. Me thënë të drejtën e kam shumë të vështirë që unë të jem larg Ilirisë e futbollit.
Kush është Fatmir Sala?!
Me tuta sportive, një bilbil në qafë dhe me pasionin me vete. Ka 27 vite që përshkon të njëjtën rrugë, që është shumë e shkurtër. Trajneri i Ilirisë, Fatmir Sala, e ka fushën e stërvitjes ngjitur me shtëpinë. Tekniku më jetëgjatë në Shqipëri rrëfen karrierën në krye të skuadrës fushë-krujase. Mund të konsiderohet një “pronar” i klubit. Terreni stërvitor është ndërtuar nga vetë trajneri pasi ndodhet në pronën e tij. Gjithashtu, një pjesë e stadiumit është e Salës. E ka nisur karrierën si trajner 34 vjeç, pasi la futbollin dhe që prej 1991-shit nuk është shkëputur për asnjë ditë nga Iliria.
Karriera e Salës
SKEDA:
Emri i plotë: Fatmir Sala
Karriera si lojtarë:
Kastrioti 1974-1977 (Të rinjtë)
Kastrioti 1978-1985 (Ekipi i parë)
1990 (Organizon Ilirinë)
1991 (Trajner te Iliria)