Shorti i hedhur sot në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës ka përcaktuar edhe 9 grupet përbërëse të kualifikueseve të Kampinatit Europian 2025 për këtë grup-moshë. Shqipëria U-21 është shortuar në Grupin E së bashku me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.
Sipas kalendarit të UEFA-s, ndeshjen e fazës kualifikuese të Europianit U-21 do të nisin në datën 20 mars 2023 dhe do të përmbyllen më 15 tetor të 2024-s. Kujtojmë që dy kokat e grupit janë Rumania dhe Zvicra, dy skuadra që do të jenë të impenjuara edhe në finalet e Europianit 2023 në muajt qershor-korrik.
Për të përcaktuar datat, oraret dhe vendet ku do të luhen ndeshjet e grupit, përfaqësuesit e FSHF-së do të diskutojnë me homologët e tyre të Grupit E për të vendosur edhe kalendarin përfundimtar. Duke parë përbërjen e grupit, Shqipëria U-21 e drejtuar nga trajneri Alban Bushi do të synojë të kualifikohet për herë të parë në fazën finale të turneut, që do të luhet në vitin 2025 në Sllovaki.
Në eliminatoret e këtij turneu marrin pjesë 53 vende të ndara në 7 grupe me nga 6 skuadra dhe 2 grupe me nga 5 të tilla.
Sipas renditjes së UEFA-s, Shqipëria U-21 ishte e pozicionuar në vendin e 36-të. Nëntë skuadrat e renditura në vendet e para të grupeve në përfundim të fazës kualifikuese së bashku me tre vendet e dyta më të mira do të kalojnë direkt për në fazën finale të turneut.
Ndërsa gjashtë vendet e tjera të dyta do të përballen në fazën play-off për të siguruar edhe tre biletat e fundit për finalen e turneut. Ndeshjet e fazës play-off do të luhen në datat 11-19 nëntor 2024.